Ne rrjet

Mobilizimi ushtarak, radhë kilometrike në kufi, rusët po ikin drejt Serbisë. Gjermania u ofron azil

Radhë të gjata janë krijuar përgjatë kufirit të Rusisë, ndërsa burrat përpiqen të largohen nga vendi pas njoftimit të Presidentit Putin për një mobilizim të pjesshëm ushtarak, ku 300.000 persona do thirren për të shërbyer në luftë.

Rusia po kryen rekrutimet më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendimi për mobilizim i presidentit Vladimir Putin u përcoll me protesta e arrestime në 38 qytete ruse dhe interesim të madh të qytetarëve për për t’u larguar nga Rusia.

Të frikësuar se mos thirren për të luftuar në Ukrainë, një numër i madh rusësh nxituan të rezervojnë bileta për të ikur nga vendi.

Ata po ikin drejt Serbisë

Çmimet e biletave të fluturimit arritën kulmin. Të dhënat e platformës Google tregojnë një rritje të kërkimeve për “Aviasales”, faqja më e njohur ruse për rezervimin e biletave të udhëtimit.

“Air Serbia”, kompania e vetme europiane përveç asaj turke “Turkish Airlines” që kryen udhëtime nga Rusia pavarësisht embargos të vendosur nga Bashkimi Europian, shiti me shpejtësi biltetat për ditët e ardhshme, ndëra çmimet për fluturime nga Moska në Stamboll, ose Dubai kanë arritur deri në mbi 9 mijë dollarë.

Rusët mund të hyjnë në Serbi pa vizë. Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për të dënuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Rusët po ikin drejt Serbisë dhe Gjeorgjisë

Ndërkohë, më shumë se 100 pasagjerë rusë mbërritën në Stamboll të enjten.

Radhë të gjata dhe në kufirin me Gjeorgjinë

Kremlini deklaroi se raportimet për arratisjen e burrave në moshë lufte janë të ekzagjeruara.

Por në kufirin me Gjeorgjinë, janë krijuar radhë të gjata kilometrike automjetesh, ku burrat përpiqen t’i shpëtojnë luftës.

Një prej tyre, i cili nuk donte të identifikohej, tha për BBC se kishte marrë pasaportën dhe ishte nisur drejt kufirit, pa marrë asgjë tjetër me vete, menjëherë pas njoftimit të Presidentit Putin, pasi ishte pjesë e grupit që mund të dërgohet në luftë.

Disa dëshmitarë vlerësuan se radha e makinave në pikën e kontrollit të Upper Lars ishte rreth 5 km e gjatë, ndërsa një grup tjetër tha se iu deshën shtatë orë për të kaluar kufirin.

Gjeorgjia është një nga vendet e pakta fqinje ku rusët mund të hyjnë pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë.

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1.300 km me Rusinë, kërkon vizë për udhëtim dhe gjithashtu raportoi rritje të trafikut gjatë natës, por shtoi se ishte në një nivel të menaxhueshëm.

Brenda Rusisë, ka spekulime se mobilizimi ushtarak mund të jetë më i madh se sa ishte paralajmëruar zyrtarisht.

Gazeta e pavarur Novaya Gazeta, raportoi se dekreti i Vladimir Putin përmban një paragraf shtesë i cili është klasifikuar dhe mbajtur sekret.

Gazeta pretendon se paragrafi sekret lejon thirrjen deri në një milion njerëz, në vend të 300.000 të raportuarve, duke cituar një burim të paidentifikuar qeveritar.

Gjermania u ofron azil ushtarëve që kundërshtojnë mobilizimin në Rusi

“Dezertorët rusë që janë duke u larguar nga mobilizimi i përgjithshëm i urdhëruar nga Vladimir Putin mund të marrin mbrojtje në Gjermani”, tha ministrja e brendshme gjermane.

Në një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, Nancy Faeser u shpreh: “Dezertorët e kërcënuar me represion serioz, si rregull, mund të marrin mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani.”

Po ashtu, ministrja gjermane shtoi se kushdo që kundërshton me guxim regjimin e Putinit dhe e vendos veten rrjedhimisht në rrezik të madh, mund të kërkoj azil për shkak të persekutimit politik.

Burimi: BBC; CNN; The Guardian/ Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë