Futboll

Mirsad Jonuz e mbyll me Vllazninë, klubi nuk i shleu detyrimet

U duk se mori zgjidhje situata te Vllaznia, por realisht nuk është kështu. Nga sot skuadra shkodrane është pa trajner, pasi Mirsad Jonuz ka vendosur të largohet. Gjithçka ka të bëjë me çështjen financiare, me likuidimin që trajneri nga Maqedonia e Veriut priste nga drejtuesit e klubit verior. Trajneri Jonuz priti deri sot lëvizjen e drejtuesve të Vllaznisë dhe pasi asgjë nuk ka ndryshuar, ka marrë vendimin të largohet.

Pas fitores me Flamurtarin në Vlorë, trajneri Jonuz u kishte komunikuar drejtuesve të klubit se do ta priste zgjidhjen e situatës në vendin e tij, në Kumanovë, për t’u kthyer sot, por kjo gjë nuk ka ndodhur dhe në prag të ndeshjes me Laçin në transfertë Vllaznia është pa trajner. Ndoshta situata mund të ndryshojë, edhe pse duket e vështirë që Jonuz të ndërrojë mendje.

Drejtuesit e klubit kuqeblu duhet të gjejnë tashmë një trajner të ri dhe më shumë mundësi, ai do të gjendet brenda familjes. Mirsad Jonuz e ka drejtuar Vllazninë këtë sezon mes shumë vështirësish të krijuara nga vonesat në dhënien e pagave. Disa ditë më parë skuadra bojkoti stërvitjen pikërisht për këtë arsye. Vllaznia mban vendin e 6-të aktualisht në renditje, me 36 pikë, po aq sa Partizani, dhe duhet të sigurojë sa më parë qëndrimin në Superiore, pa u rrezikuar për të shkuar në “Playu out”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë