Lajme

“Mirëqenia dhe siguria e grave”, OSBE: Shumë pak denoncojnë përvojat e tyre

OSBE në Shqipëri dhe Sektori Gjinor i saj në Vjenë kanë paraqitur sot rezultatet për Shqipërinë të anketës “Mirëqenia dhe siguria e grave”, të drejtuar nga OSBE-ja.
Siç thuhet në njoftimin e OSBE-së, anketa, e para e këtij lloji, e zhvilluar në Evropën Juglindore dhe Lindore, në vitin 2018, si pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, jep një tablo të detajuar të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike që pësojnë gratë dhe vajzat.
OSBE bën me dije se në Shqipëri, kërkimi përfshiu një anketë përfaqësuese të 1 858 grave të moshës 18-74 vjeç, 14 intervista me ekspertë, 7 diskutime të grupit të fokusit dhe 4 intervista të thelluara me gra që kishin përjetuar dhunë.
Prej tij rezultoi se megjithëse dhuna ndaj grave quhet e zakonshme nga një numër i madh grash të intervistuara, vetëm shumë pak prej tyre i denoncojnë përvojat e tyre apo kërkojnë mbështetje. Turpi, frika nga dhunuesi, mungesa e besimit tek institucionet dhe mungesa e mbështetjes financiare i pengojnë gratë të denoncojnë. Normat kulturore që gratë duhet t’u binden burrave apo për ato për dhunën seksuale në marrëdhëniet intime kontribuojnë në tej për një mjedis që toleron dhunën ndaj grave. Boshllëqet në legjislacion dhe në zbatimin e tij vijojnë të mbeten të pranishme.
Kryetari i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha se të dhënat e anketës tregojnë qartë se normat kulturore dhe sjelljet që kanë të bëjnë me dhunën ndaj grave duhet të ndryshojnë dhe duhet vepruar.
“Si burrat, ashtu edhe gratë, duhet të marrin pjesë në ndryshimin e këtyre normave kulturore. Ndërkohë, gratë duhet të fuqizohen që të denoncojnë dhunën; denoncimet e tyre duhet të merren seriozisht nga policia, prokurorët dhe gjykatësit dhe dhunuesit duhet të vihen përpara drejtësisë”, është shprehur Borchardt.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vuri në dukje se qeveria shqiptare ka marrë hapa konkretë për të luftuar dhunën në familje dhe ka përmirësuar ligjin për masat kundër dhunës në familje.
“Megjithatë, duhet bërë më shumë për të shpejtuar ngritjen e mekanizmave referues për rastet e dhunës në familje në të gjitha bashkitë dhe për të mundësuar përgjigjen e menjëhershme kundër këtij fenomeni në nivel komuniteti”, u shpreh Manastirliu.
“Raporti është një kambanë alarmi që tregon se, veç punës që kemi bërë, duhet të bashkërendohet puna me shoqatat e shoqërisë civile dhe duhen forcuar mekanizmat vendorë për dhunën në familje”, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo theksoi edhe nevojën për bashkërendim më të mirë mes institucioneve shtetërore.
Ndërsa, koordinatori Rezident i Kombeve të Bashkuara, Brian Williams, tha se lufta ndaj shkaqeve rrënjësore të dhunës ndaj grave është përgjegjësi e shoqërisë mbarë.
“Gratë nuk duhet t’i mbartin të vetme barrën dhe rreziqet e dhunës. Lufta ndaj shkaqeve rrënjësore të dhunës ndaj grave është përgjegjësi e përbashkët, që përfshin burrat dhe djemtë, familjet, komunitetet dhe udhëheqësit e çdo lloji, qofshin mësues, drejtues kompanish, policë, kryeministra, imamë apo priftërinj”, tha Williams.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë