Futboll

Mirel Josa rikthehet në Superiore, i thotë “po” Kukësit

Mirel Josa është trajneri i ri i skuadrës se Kukësit. 57-vjeçari ka pranuar ofertën e bërë nga presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici dhe pritet të prezantohet si pasardhësi i Skënder Gegës. Presidenti Gjici kërkonte një emër, që e njeh mirë Superioren dhe Josa është i tillë pasi arriti të drejtonte me shumë sukses Skënderbeun drejt titujve dhe sukseseve në Europë.

Mirela Josa ka arritur akordin për 1 vit e gjysmë me ekipin verilindor, teksa gjithçka pritet të zyrtarizohet në ditët e ardhshme. Për sa i përket teknikut aktual Rrahman Hallaçi, ai pritet të jetë ndihmës i Josës në stolin e Kukësit.  Kjo nuk është hera e parë kur Josa dhe Kukësi kanë qenë në bisedime për pankinën e verilindorëve. Palët ishin shumë pranë akordit në verën e vitit 2015, por trajneri në fund vendosi të refuzonte ofertën e bërë asokohe nga presidenti Safet Gjici.

“Futboll Klub Kukësi njofton se Mirel Josa është trajneri i ri i skuadrës sonë. Tekniku kryeqytetas ka arritur sot marrëveshjen për 1 vit e gjysmë dhe menjëherë do të marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa prezantimi i tij para mediave do të bëhet ditën e mërkurë.

Pas një mbledhje të stafit drejtues dhe stafit teknik, u vendos që Josa të merrte drejtimin e skuadrës, ndërkohë që Rraman Hallaçi do të jetë ndihmës i tij dhe njëkohësisht do të drejtojë Kukësin U21.

Josa është një trajner që e njeh mirë kampionatin shqiptar, duke drejtuar disa skuadra të ndryshme dhe duke fituar trofe. Klubi i Kukësit i uron suksese trajnerit Josa në krye të stolit kuksian“, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit verilindor.

Josa për herë të fundit ka drejtuar Prishtinën në Kosovë, duke iu afruar titullit kampion shumë pranë. Tani rikthehet në Superiore dhe do të ketë një mision të vështirë për ta renditur në vendet e para ekipin e Kukësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë