Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni i posaçëm kundër Dezinformimit miratoi sot draft-strategjinë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit e cila tashmë do të dërgohet për konsultim.
Duke sjellë në vëmendje objektivat kryesorë të strategjisë, kryetari i komisionit Erion Braçe tha se ajo fokusohet në forcimin e kapaciteteve institucionale për të parandaluar, zbuluar dhe analizuar ndërhyrjet e huaja në fushatat zgjedhore, përfshirë monitorimin mbi ndikimet e huaja në proceset zgjedhore dhe financimin politik të partive politike dhe aktorëve që bëhen pjesë e zgjedhjeve.
“Strategjia synon mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përforcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë për të identifikuar dhe neutralizuar ndërhyrjet e huaja në vendimmarrjen politike dhe institucionale”, tha Braçe.
Po ashtu objektiv i strategjisë, sipas tij, “është sigurimi i mbrojtjes së ekonomisë kombëtare dhe veçanërisht sektorëve kritikë strategjikë, si dhe hartimi i masave për të shmangur ndikimin e huaj në sektorët strategjikë si energjia, infrastruktura dhe teknologjia.
Një tjetër fokus i strategjisë sipas Braçes mbetet forcimi i lirisë së shprehjes dhe medies në tërësi si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për dezinformimin.
“Synohet krijimi i mekanizmave për verifikimin e fakteve dhe përmirësimi i edukimit mediatik për të rritur rezistencën e publikut ndaj propagandës dhe manipulimit informativ duke nisur nga një hap shumë i rëndësishëm që ka të bëjë 2025-2030 dhe udhërrëfyesin për zbatimin e saj.
Gjatë prezantimit të kësaj draft-strategjie, Braçe informoi se si pjesë e këtij procesi janë zhvilluar takime pune me grupe të ekspertëve të jashtëm ku u përcaktuan hapa dhe afate për hartimin e draft-strategjisë.
“Përfaqësues nga institucionet publike dhe ekspertë të pavarur kanë kontribuar në përgatitjen e një dokumenti analitik, i cili përshkruan gjendjen aktuale të ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Shqipëri. Ky dokument shërbeu si bazë për hartimin e draft strategjisë dhe përcaktimin e ndërhyrjeve prioritare të cilat janë në përputhje me objektivat kyç të komisonit”, shtoi Braçe.
Po ashtu, Braçe theksoi se është kryer analiza e legjislacionit për të përcaktuar boshllëqet ligjore që mund të shfrytëzohen nga aktorët e huaj për të ndikuar në Shqipëri, si dhe janë vlerësuar aftësitë institucionale për të zbuluar dhe kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin informativ.
“Përmes këtij studimi evidentohet nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar mes institucioneve shqiptare për të adresuar kërcënimet në mënyrë efektive dhe në kohë”, shtoi ai.
Kreu i komisionit bëri të ditur se komisioni i posaçëm synon të finalizojë dhe konsultojë draftstrategjinë kombëtare deri në fundin e muajit shkurt 2025, ndërkohë që draft-strategjia do të publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit te Konsultimi Publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.