Lajme

Ministrja Shahini: Këtë vit janë 10 mijë nxënës më pak, jo 100 mijë

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini reagoi sot lidhur me numrin e ulët të nxënësve në shkolla.
Sipas Shahinit, ky vit i ri shkollor nisi me 10 mijë nxënës më pak dhe jo me 100 mijë siç deklaroi Partia Demokratike.
“Shifrat që keni raportuar dje janë të pasakta dhe të pjesshme. Ju keni raportuar se në arsimin parauniversitar kemi 380 mijë nxënës, por kjo shifër përfshin vetëm nxënësit e klasave I-XII duke mos përfshirë arsimin profesional dhe parashkollorin. Në total sivjet regjistrimet në arsimin parauniversitar pa përfshirë arsimin profesional janë 455 mijë nxënës, me profesionalin 480 mijë nxënës. Në krahasim me vitin e kaluar kemi 10 mijë nxënës më pak dhe jo 100 mijë më pak”, u shpreh ministrja Shahini.

Ajo bëri me dije se fenomeni i tkurrjes së numrit të nxënësve nuk ka ndodhur gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, por ka nisur si trend që në vitin 1992, ka vazhduar në qeverisjen e PD dhe vazhdon edhe sot, në vitin 2019.
“Dua të theksoj se rënia e numrit të nxënësve në shkolla nuk është një dukuri e viteve të fundit dhe as një dukuri ekskluzivisht shqiptare. Trendi rënës ka filluar që në 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së PD, 2005-2013 dhe po vazhdon dhe sot. Trendi i rënies ka të bëjë me rënien e natalitetit që është një çështje që afekton Evropën Juglindore, që përfshin edhe Ballkanin”, tha ndër të tjera ministrja Shahini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë