Para

Ministri Mete prezanton pr.ligjin e pensioneve private në Kuvend: Ulet kosto vjetore e anëtarëve dhe rritet vlera e patatueshme

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i sapoemëruar për financën dhe ekonominë, Ervin Mete ka prezantur sot në Kuvend projektligjin për pensionet private, me qëllim rritjen e këtij tregu, krahas atij shtetëror.

Ndër ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj është ai i uljes së kostos administrative në 2.5% nga 3% që ishte dhe rritja e vlerës së patatueshme.

“Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi fiskale edhe për pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit. Sot sipas ligjit në fuqi, pagesat e marra nga anëtari i fondit tatohen me normën e të ardhurave personale 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër, ndërsa ajo që propozohet dhe parashikohet në projektligj është që pagesat e marra nga anëtari i fondit në mënyrë periodike mujore, në formë pensioni, të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet, pra që të zgjatet dhe koha e marrjes së pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale”, shpjegoi Mete.

Projektligji parashikon dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”. I pari është fondi që nuk parashikon kufizime në anëtarësim dhe krijohet nga shoqëria administruese, ndërsa ai i mbyllur krijohet nga një punëdhënës, shoqëri etj me pjesëmarrje të mbyllur, vetëm për anëtarët e subjektit.

Sipas ministrit, krijimi i fondit me pjesëmarrje të mbyllur merr rëndësi të veçantë për zhvillimin e tregut privat të pensioneve në vend, pasi në këtë mënyrë shoqëritë shqiptare nxiten që përmes mundësisë për negocim me shoqëritë administruese të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre.

Ndryshimet e reja ligjore i detyrojnë shoqëritë e fondeve t’u mundësojë anëtarëve akses në llogarinë e tyre për të kontrolluar në çdo kohë numrin e kuotave, çmimin e kuotës të asaj dite, vlerën e aseteve në llogarinë personale, datat, shumat e pagesave të bëra nga anëtari, punëdhënësi ose sponsori, kthimin e investimit

Të informojë anëtarët 3 muaj përpara daljes në pension mbi vlerësimin e llogarisë individuale dhe opsionet e pagesës së pensionit.

“Skemat private të pensioneve janë një instrument i dobishëm dhe i nevojshëm për rritjen e kursimeve për pension duke përmirësuar standardin e jetesës përmes ofrimit të një pensioni shtesë, krahas pensionit të përfituar nëpërmjet skemës publike të pensioneve” tha ministri në fjalën e tij.

Sipas të dhënave për periudhën deri në 30.06.2023, totali i aseteve neto të fondeve të pensionit privat arriti në rreth 6,2 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi rreth 37,600, me një rritje prej afro 3% krahasuar me fundin e vitit 2022. Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të këtyre skemave lind domosdoshmëria e përmirësimit të kuadrit ligjor për të krijuar incentivat e mëtejshme për zgjerimin e pjesëmarrjes dhe për të rritur besimin e anëtarëve dhe investitorëve në këtë treg dhe tek operatorët e tij.

Në fjalën e saj, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, përmendi skemën e pensioneve shtetërore dhe tha se nuk do të marrë pjesë në votimin për indeksimin e pensioneve, pasi “ligji nuk njeh realitetin dhe problemin dhe dramën që sot përjeton Shqipëria.

Deputetja demokrate u shpreh se nga norma e indeksimit, pensionet do të rriten me vetëm 50 lekë në ditë, referuar vendimit që mori dje ministria e Financave, në pritje të miratimit final.

“Kam rezerva në lidhje me ligjin për pensionet dhe nuk do marr pjesë në votim. Ligji ka probleme të thella. Ligji nuk njeh realitetin dhe problemin dhe dramën që sot përjeton Shqipëria. Kriza reale e Shqipërisë është, hemorragjia e largimit të qytetarëve, e cila ka lindur prej vitesh dhe ka qene një sinjal se çfarë duhet bërë ndryshe në vend. Ky largim sot ka prekur çdo sektor të ekonomisë, arsimin, konsumin, rënien e numrit të nxënësve, studentëve, kjo është kriza reale. Skema e pensioneve është miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca në 2014. Reforma ndryshoi parimin, kontribuuesin më i madh përfiton më shumë, por i pabazuar në zhvillimin ekonomin, largimin e qytetarëve. Ndërsa që tani popullsia po plaket, qeveria s’di të jap përgjigje. E dini sa do rriten pensionet nga norma e indeksimit? 50 lekë në ditë! 1500 lekë në muaj. Çfarë do bëj një pensionisti me 50 lekë në ditë? A mbijetohet me 50 lekë në ditë”’- tha Tabaku në fjalën e saj.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë