Lajme

Ministri Lleshaj pritet me protesta nga studentët e Durrësit

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është pritur me protesta nga studentët e Durrësit në një takim të organizuar me Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Lleshaj ishte i shoqëruar nga kreu i Policisë, Ardi Veliu dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Në momentin që Lleshaj dhe Dako mbërritën në universitet u pritën me thirrjet “turp”, “turp”, “turp”. Dako ka hyrë brenda, ndërsa ministri i Brendshëm është përballur me studentët. Një nga të rinjtë e ka akuzuar ministrin se e ka helmuar me gaz lotsjellës. Debati nuk ka vijuar më gjatë, por ministri është përcjellë brenda Universitetit me thirrjet “Turp, turp”.
“Ne nuk do të kemi ndarje me protestuesit. Turp, turp, turp!”, thirrën të rinjtë. Më herët, ministri Lleshaj ka zhvilluar një takim me strukturat dhe agjencitë që operojnë në Portin e Durrësit.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se në Portin e Durrësit ka nevojë për ndërhyrje të thella në drejtim të sigurisë, në mënyrë që të evidentohen problemet, të cilat lidhen kryesisht me çështje që kanë të bëjnë me trafiqet, kontrabandën dhe evazionin.
“Nga nevoja, dhe detyra e Kryeministrit, është shtruar prej kohësh që Porti të arrijë në një nivel të lartë integrimi, që të funksionojë si një entitet i integruar, jo si disa entitete siç ka funksionuar prej shumë kohësh, por të funksionojë si një entitet i integruar, i cili funksionon, pra në bazë të një koncepti për një qëllim, me të njëjtat standarde, me të njëjta procedura, në mënyrë që të evitohen problemet e evidentuara në këtë Port, të cilat lidhen kryesisht me çështje që kanë të bëjnë me trafiqet, kontrabandën, me evazionin, por dhe me probleme që lidhen me sigurinë dhe nuk flas për sigurinë e brendshme të Portit, por me sigurinë e vendit”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm, Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë