Stolat e skuadrave të Superiores, si zakonisht, do të preken nga ndryshimet këtë verë. Kukësi, pavarësisht se siguroi një vend në Kupat e Europës, e ndryshoi trajnerin, ku vendin e Orges Shehit sapo e ka marrë Skënder Gega. Ilir Daja pritet të zyrtarizohet te Partizani, që mbylli një sezon të dështuar në çdo drejtim.
Emanuel Egbo i Tiranës e ka marrë konfirmimin nga presidenti Refik Halili, por prova reale për të do të jenë ndeshjet europiane. Të konfirmuar deri tani gjithashtu janë Edi Martini te Teuta dhe Armando Cungu te Laçi, si dhe Artan Mërgjyshi tek Apolonia e kthyer në Superiore.
Trajner të ri do të kenë shumë shpejt Vllaznia dhe Skënderbeu, madje janë mësuar tashmë edhe kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e këtyre skuadrave. Vendin e Hysen Dedjes te shkodranët pritet ta zërë Auron Miloti, ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe Tiranës pas viteve ’90 dhe me një karrierë në Austri, ku ka nisur edhe trajningun. Presidenti i ri i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka pasur kontakte me 45-vjeçarin që ndoqi nga afër ndeshjen shtesë me Besëlidhjen, pas së cilës u sigurua qëndrimi në Superiore.
Mirel Josa është gati të marrë drejtimin e Skënderbeut, ku bëri historinë disa sezone më parë, duke fituar tituj dhe duke shkuar deri në grupet e Ligës së Europës. Klubi korçar, duke parë zvarritjen e vendimit të Gjykatës Federale në Zvicër sa i takon çështjes së dënimit me 10 vjet jashtë Kupave të Europës, ka në plan të ndërtojë një skuadër me elementë të rinj, me qëllimin për t’i shitur më pas ata në kampionatet e huaja.
Përveç Josës, kandidatë të tjerë për të marrë drejtimin e Skënderbeut janë edhe dy ish-kapitenë të tij, Bledi Shkëmbi dhe Orges Shehi, madje ky i fundit e drejtoi ekipin korçar edhe një sezon si trajner. Presidenti Ardjan Takaj ka këtë zgjidhje, nëse vendimi nga Zvicra vonon ose është negativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.