Politike

Milionat në “Toyota”, Basha: Veç Ballës, Manja dhe Çyrbja

Kryedemokrati Lulzim Basha ka dëshmuar sot në Prokurori në lidhje me çështjen e 3,4 milionë eurove të kapur në dy makinat "Toyota Yaris" muaj më parë në Portin e Durrësit. Kjo është hera e dytë që lideri i opozitës shkon në Prokurori dhe thirrja lidhet me faktin se ai lëshoi deklaratën në Parlament, duke akuzuar kryetarin e grupit të PS-së, Taulant Balla për këtë trafik të paligjshëm, kjo përpara se policia të ndërmerrte aksioni e saj.

“Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për hetimin që ka nisur në lidhje me nxjerrjen e sekretit shtetëror sa i përket veprës kriminale të futjes së parave të krimit me Toyota Yaris. Ku veprim dëshmon se deklaratat dhe denoncimet e mia publike për përfshirjen e Taulant Ballës në dhënien e garancive politike dhe në trafikimin e parave të pista janë të vërteta”, deklaroi Basha pas dëshmisë së tij në Prokurori.

Por kryedemokrati lëshoi dhe një tjetër akuzë ndaj kësaj çështje, duke akuzuar se janë përfshirë edhe dy deputetë të tjerë të Partisë Socialiste. Sipas tij, ata janë Ulsi Manja dhe Jyrgis Çyrbja, duke theksuar se Prokuroria nuk vepron, por merret me nxjerrjen e sekretit hetimor. Këtë veprim, lideri i opozitës e cilësoi si një degradim të organit të Akuzës.

“Sot në këtë aferë janë përfshirë dhe dy deputetë të tjerë të PS, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. Kam ardhur me shumë dëshirë sot në Prokurori për t’ju treguar shqiptarëve se ku ka degraduar sistemi i prokurorisë shqiptare. Në vend që të hetojë se kush qëndron prapa transaksioneve kriminale të milionave eurove me Toyota Yaris, në vend që të hetojë se kush i garanton këto akte të rënda kriminale po e trajton këtë si një nxjerrje të sekretit shtetëror. Prokuroria ka prova dhe fakte të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës, për të kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, për Vangjush Dakon, për Damian Gjinkurin, për Qazim Sejdinin me shokë, por e kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës dhe nga krimi i organizuar, Prokuroria po i trajton lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror. Po mbron lidhjet e Taulant Ballës me bandat e krimit të organizuar, lidhet e Vangjush Dakos, si dhe të Samir Tahirit me bandat e krimit të organizuar si sekret shtetëror”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha duke folur per median pas dëshmisë të dhënë në Prokurori/ Foto LSA

Më tej ai theksoi se nëse prokuroria do të vepronte mbi provat që disponon, numri dy i Partisë Socialiste duhet të ishte arrestuar sot.

“Nëse prokuroria do të vepronte mbi përgjimet zyrtare, faktet dhe provat që disponon sot Taulant Balla do të duhet të ishte në arrest, sot Vangjush Dako do të duhet të ishte në arrest, sot Saimiri Tahiri, Taulant Vangjush Dako, Qazim Sejdini do të kishin një pretencë me dekada me burg.

Sot Fatmir Xhafaj do të ishte larguar nga politika, por unë kam, nuk jam i paduruar sepse e di që drejtësia mund të vonojë, por nuk do të mungojë. Së bashku me Taulant  Ballën, Ulsi Manjën, Jurgis Çyrben, Qazim Sejdinin,  Vangjush Dako me shokë, do të vijë dita kur para drejtësinë të jenë edhe veglat që e kanë shndërruar Prokurorinë në një aksesor të këtij regjimi kriminal dhe të krimit të organizuar Arta Marku dhe Donika Prela”, mbylli Basha deklaratën e tij.

Balla e Manja reagojnë: Basha, ekspertizë mjekësore dhe padi

Këtyre akuzave iu është kundërpërgjigjur kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ishte në gjykatën e Tiranës për padinë që ka depozituar për shpifje ndaj kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me çështjen e Toyota Yaris.

Në këtë gjyq Basha mungonte, pasi ishte duke dhënë dëshminë në Prokurori e Tiranës, por përfaqësohej nga avokatët e tij Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso.

Balla reagoi ndaj deklaratës së kryedemokratit sa i përket nxjerrjes së emrave të dy deputetëve të tjerë socialistë.

“Unë ju thashë që më vjen keq që në krye të PD-s është një njeri që zgjohet në orën 11:00 bën një deklaratë çorbë  në ora 11:30-12:00, në përfundim të këtij procesi gjyqësor mendoj se ka nevojë edhe për analizë për ekspertizë mendore”, deklaroi Balla.

Taulant Balla, duke folur pas seancës së sotme gjyqësore

Pas këtyre akuzave ka reaguar edhe deputeti i PS-së, Ulsi Manja, i cili edhe ai bashkë me deputetin e Çyrbja, si çdo socialist, do ta padisë për shpifje kryedemokratin Basha.

“Eh,si shkoi kjo punë, shërbëtori i xhepit të vet Lulzim Basha më paska futur edhe mua me një koleg tjetër në Toyota-n e Taulantit!  Me shumë kënaqësi, së bashku me kolegun do t'i bashkangjitemi Taulantit në rrugën drejt gjyqit me Lulzimin, ku do t'i kërkojmë këtij djali të llastuar dhe qafir, një sasi të hollash për shpifje për shkak të detyrës! Por një gjë s'rri dot pa ia thënë Lulzimit:  Kur të të vijë dita të japësh llogarinë tënde para një prokurori, më ke në dispozicion për asistencë kundër tharjes së gurmazit. Si prokuror i hershëm që jam , ua kam lag fytin shumë bilbilave si puna jote kur u ka ardh siraja për t'i ulur në karrigen e hetimit”, shkruan Manja në postim në llogarinë zyrtare në Facebook.

Operacioni dhe deklarata e Bashës

Në seancën parlamentare të qershorit, kryedemokrati Basha iu drejtua Taulant Ballës nga foltorja duke i thënë se kishte porositur një makinë “Toyota Yaris” ku brenda kësaj makinë ishin fshehur 1,5 milion euro. Pas dy ditësh u konkludua ky operacion, ku brenda saj ishin 3,4 milionë euro.

“Qesh ti qesh, zgërdhiu! Ai që po zgërdhihet më shumë ka qenë para tri ditëve në Shqipëri. Ai zgërdhitësi ka marrë “Toyta Yaris”-in. Por t’u zbulua Toyota”, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Sepse zgërdhitësi thoshte s’kemi probleme, s’kemi drogë, reformat po ecin, krimi po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar e nuk ka nevojë ta thotë opozita”, tha Basha të enjten në Kuvend.

Basha më pas kishte deklaruar se e kishte marrë informacionin nga shërbimet partnere.

Seanca e sotme mes Ballës dhe Basha ishte për padinë e parë e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Balla për çështjen e “Toyota Yaris”. Padia e dytë është ajo për dekonspirimin e operacionit të policisë, pas deklaratës së Lulzim Basha tha në Parlament se ishin nisur drejt Shqipërisë një shumë e konsiderueshme eurosh brenda një automjeti "Toyota Yaris" ngjyrë e kuqe.

Pikërisht kjo deklaratë krijoi dyshime nga Prokuroria ishte shkak që të ndryshojë planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës, por devijuan rrugën e u nisën nga porti Barit. Më herët Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat katër personat e arrestuar pas kapjes në portin e Durrësit, Edi e Klevis Lika, Alban Mollaymeri dhe biznesmenin e kapur në Gjermani, Agim Çeka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë