Para

Milionat e fituara në tendera nga kompanitë e të arrestuarve për mashtrim me TVSH

Miliona e siguruara nga skema e mashtrimit me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nuk janë të ardhurat e vetme që dyshohet se kanë siguruar të paktën dy nga shtatë biznesmenët e arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit antiinformalitet. Haxhi Sala, si pronar i "Leksi Security" dhe Paqsor Buzi, si pronar i "G.P.G Company", kanë marrë miliona lekë të tjera në disa tendera që kanë fituar nga institucionet qendrore dhe vendore për punë dhe shërbime publike.

Shoqëria private e ruajtjes dhe sigurisë fizike “Leksi Security” ka fituar dy tendera në tre vitet e fundit, me një vlerë totale rreth 21 milionë lekë. Në 2017 kjo kompani fiton tenderin me objekt “Shërbime të sigurisë dhe ruajtjes fizike për godinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për magazinat në Lundër për vitin 2017”. Fondi limit ishte rreth 6 mln lekë të reja dhe kompania e Haxhi Salas u shpall fituese me ofertën prej 4.5 mln lekësh të reja.

Një vit më vonë, kompania “Leksi Security” fiton tenderin për ruajtjen dhe sigurinë fizike të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi) me ofertën prej rreth 15 mln lekësh të reja nga 15.8 mln lekë që ishte fondi limit.

Paqsor Buzi me kompaninë e tij “G.P.G Company” ka fituar në qershor të këtij viti tenderin për rikonstruksionin e kanalizimeve të ujësjellësit në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet me ofertën prej rreth 155 milionë lekësh nga rreth 196 milionë lekë që ishte fondi limit.

Në fillim të këtij viti, kompania në fjalë fitoi tenderin për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin Luftinjë të Memaliajt me aksin nacional. Fondi limit i vënë në dispozicion nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ishte rreth 193.5 milionë lekë, ndërsa kompania fitoi me ofertën prej rreth 110 milionë lekësh.

Në 2017, “G.P.G Company” ka fituar ndërtimin e rrugës Voskopojë Kisha e Shën Prodhomit me ofertën prej 83 milionë lekësh nga 87.5 mln lekë që ishte fondi limit i vendosur nga Agjencia për Zhvillimin Rajonal e Korçës.

Përveç këtyre tenderave të fituar drejtpërdrejtë, në faqen zyrtare në internet, kjo kompani thotë se ka kryer punime nga të ndryshme në infrastrukturë nga Konispoli në Vermosh si e nënkontraktuar nga kompani të tjera. Mes këtyre punimeve rendit punime për Bypass-in në Vlorë dhe punime të tjera në Rrugën e Arbrit.

Operacioni i arrestimit të biznesmenëve

Policia e Tiranës në kuadër të aksionit kundër informalitetit, ka arrestuar mbrëmjen e së mërkurës 15 persona, mes tyre edhe 7 biznesmenë pasi akuzohen për mashtrim me skemat e TVSH-së.
Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Hetimin Tatimor kanë kryer aksionin, ndërkohë që me çështjen po merret personalisht prokurorja Elisabeta Imeraj dhe Valentin Prenci. Mësohet se aksioni ka nisur prej ditësh dhe vijon ende he të dyshuar janë rreth 50 persona. 
Në njoftimin zyrtar policia tha se në pranga u vunë 15 administratorë të shoqërive dhe kompanive të ndryshme.

“Në vijim të planin të posaçëm të masave "Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore", Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Hetimin Tatimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar "Informaliteti", njoftoi Policia.

Të arrestuarit janë Besnik Pelivani, Astrit Lala, Haxhi Sala, Ardian Bejko, Mhill Ndreca, Rrapo Prodani dhe Shpresa Joanidhi. Po ashtu në pranga ranë Fatmir Firi, Paqsor Buzi, Vangjush Mbirce, Rabi Kurti, Riza Roshi, Rrapo Baduni dhe Albert Ahmeti.

“Ndalimi i tyre është bërë pasi këta shtetas me aktivitete të ndryshme ekonomike si: Ndërtime konstruksion godinash , ndërtime të ndryshme, import,eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industrial, ushqimore, makineri e pjesë këmbimi, pajisje elektrike, elektronike, hidraulike, lëndë të para, materiale ndërtimi kanë kryer shitje dhe blerje të faturave fiktive në total në vlerën 182.677.020  lekë me TVSH 25.704.243 lekë të reja. Shitjet janë kryer vetëm tek një subjekt tregtar  për të cilin nuk jepen të dhënat për arsye hetimi”, tha policia.

Sipas saj, nga analizimi i librave të blerjes rezulton se shoqëria në total nuk ka kryer asnjë blerje ose importe sipas deklarimeve të subjektit në organin tatimor. Subjekti gjithashtu nuk ka bërë asnjë deklarim tjetër në organin tatimor.

Në kuadër të këtij procedimi janë shpallur disa shtetas në kërkim, ku për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera.

Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në  ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale  “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, si dhe “Fshehje e të ardhurave” .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë