Rend dhe Ligj

Miliardat që shkarkuan 21 gjyqtarë e prokurorë

Çështja e parë që mori në shqyrtim Komisioni i Pavarur i Kualifkimit në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte ajo ndaj ish-gjyqtarit, Besnik Imeraj, i dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas ligjit të vettingut, të dorëhequrit nga sistemi përjashtoheshin nga procesi i rivlerësimit dhe hetimit të thelluar të pasurive të tyre. KPK shqyrtoi rastin e Imerajt për të provuar nëse dorëheqja e tij ishte bërë sipas parashikimeve ligjore dhe në fund vendosi ndërprerjen e vettingut për të.

Më pas, ishte rasti i Adriatik Llallës. Edhe ish-kryeprokurori u dorëhoq para se të niste vettingut dhe KPK vendosi pushimin e procesit ndaj tij, vendim që u apelua nga Komisioneri Publik, por që u konfirmua edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më vonë. Këto ishin dy vendimet e vetme të dhëna nga KPK në muajin shkurt.

Muaji mars ishte më i ngjeshur. Mes ndihmësve ligjorë të Gjykatës së Lartë e deri tek ish-anëtarja Mirela Fana e kësaj trupe, KPK shqyrtoi 9 dosje. Prioritet u vendos shqyrtimi i integritetit, pasurisë dhe profesionalizmit të kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Mes dosjeve të shqyrtuara në muajin mars ishte edhe ajo e Fatos Lulos, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht Lulo ishte emri i parë i shkarkuar nga vettingut në Gjykatën Kushtetuese dhe arsyeja e dhënë ishte mosjustifikimi i pasurive.

Procesi vijoi me konfirmimin në detyrë të Vitore Tushës në Kushtetuese dhe më pas me dy shkarkimet e para të bujshme, atë të gjyqtarit të Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva dhe të Prokurores në Gjykatën e Apelit në Shkodër, Besa Nikëhasani, që të dy për mosjustifikim të pasurive.

Maji do të vendoste fatin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Pas Fatos Lulos, kësaj trupe vettingu i largoi edhe Altina Xhoxhajn dhe Fatmir Hoxhajn dhe që të dy me të njëjtin argument, atë të mosjustifikimit të pasurive. Në sitë do të kalonin më pas edhe Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari. Dizdari u shkarkua nga KPK, ndërsa Bashkim Dedja u konfirmua, por për dosjen e tij vëzhguesit ndërkombëtarë të reformës në drejtësi kërkuan rishqyrtim.

Qershori dhe korriku ishin muajt ku makineria e vettingut ndryshoi marsh. U kaluan në sitë të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe emrat e tjerë nga gjykatat dhe prokuroritë e Tiranës dhe të rretheve, që ishin kandidatë për KLGj e KLP.

Mes atyre që kaluan ishte edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Deri në këtë moment, opozita ishte shprehur skeptike për mënyrën se si po zhvillohej vettingu, por pas konfirmimit të Markut akuzoi se procesi po ndiqte dy standarde. Akuzat u përforcuan më shumë me kalimin e Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë dhe të Ilir Toskës nga Gjykata e Apelit.

Duke lënë menjanë akuzat e politikës, procesi i vettingut deri më tani ka një emërues të përbashkët përsa u takon prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar dhe ai emërues quhet “mosjustifikim i pasurisë”.

6 gushti ishte dita e fundit e vettingut, para se anëtarët e KPK, KPA dhe Komisionerët Publikë të largoheshin me pushime.

Pra në total janë 21 gjyqtarë e prokurorë që janë shkarkuar nga procesi i vettingut dhe në të gjitha rastet, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme me pasurinë. E mbledhur në total, pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë shkarkuar kap shifrën e 674.3 milionë lekëve të reja, ose 6 miliardë e 743 mln lekë të vjetra.

Shuma është goxha e lartë në krahasim me të ardhurat dhe pasuritë e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Në vitin 2016, Credit Swiss, në raportin vjetor për pasurinë globale thotë se shqiptarët në moshë madhore kanë afërsisht 10 deri në 11 milionë lekë të vjetra.

Ndërkohë, nëse shuma prej 6 miliardë e 743 milionë lekësh (të vjetra) pjestohet me 21, aq sa është edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kontribuojnë në këtë shifër, mesatarja del rreth 320 milionë lekë të vjetra për secilin, pra një shifër rreth 30 herë më e lartë se mesatarja e qytetarëve shqiptarë.

Kjo shifër mund të ndryshojë në varësi të vendimit që do të japë Kolegji i Posaçëm i Apelimit për çështjet që janë ankimuar në të, por e sigurtë është që me ardhjen e shtatorit dhe rinisjen e vettingut, të tjerë emra do t’u bashkohen që të dyja listave dhe trendi në rritje i “milionave” që djegin gjyqtarë e prokurorë do të vazhdojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë