Futboll

Milani rrotullohet rreth tre liderëve, veçanërisht në derbi

Një skuadër futbolli me ambicie duhet të ketë një “shtyllë kurrizore” të fortë, një bosht stabël dhe të sigurt për bashkimin e portierit dhe sulmuesit. Milani, që po i afrohet me shpejtësi derbit, pas muajsh në kërkim të një lideri, tashmë gjendet me tre kapitenë, Donaruma, Romanjoli dhe Ibrahimoviç. Një linjë e fortë dhe tre pika, ku rrotullohet gjithçka te Milani, ambiciet e të cilit do të shihen në derbi.

Janë tre kapitenë, që shiritin e kanë mbajtur vërtet. Kapiteni zyrtar është Alesio Romanjoli, i cili ka marrë përgjegjësinë të përfaqësojë Milanin që në moshën 23 vjeç. Ai i ka kaluar problemet fizike dhe është gati për derbin, ku do prekte kufirin e 200 ndeshjeve në Serinë A.

Ibrahimoviç, Romanjoli dhe Donaruma, tre liderët e Milanit. Gazeta Si, 15 tetor 2020

Shiritin do t’ia dorëzojë ai që gjithmonë është pranë tij, Xhixho Donaruma, i cili numëron 209 ndeshje me Milanin në moshën 21-vjeçare. Me rikthimin e Romanjolit ndryshon edhe prapavija që ka treguar siguri. Donaruma do të shohë në derbi edhe një element shumë të rëndësishëm atje përpara, sulmuesin Zllatan Ibrahimoviç, i cili është gati të udhëheqë Milanin, pasi ka lënë pas Covid-19-ën. Sulmuesi suedez është kapiteni moral i kuqezinjve.

Numrat flasin qartë: Milani ka gjetur “shtyllën kurrizore”, tre liderët që gjenden të gjithë bashkë në derbi për herë të parë këtë sezon. Milani tani e ka trupin drejt, por a do të mjaftojë për të fituar derbin?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë