Futboll

Milani prezanton mesfushorin Sandro Tonali: Një ëndërr e realizuar

Sandro Tonali ka zyrtarizuar kalimin e tij te Milani me një foto të postuar në rrjetet sociale, ku ai shfaqej që fëmijë me fanellën kuqezi. Ka qenë tifoz i “Djallit”, nuk e ka fshehur kurrë. Pasi kreu vizitat mjekësore, ai firmosi kontratën, ndërkohë që shumë tifozë të Milanit e kanë pritur.

Pas testeve mjekësore, Tonali dha një deklaratë të shkurtër: "Jam shumë i lumtur dhe përshëndes gjithë tifozët e Milanit. Janë emocione të forta, një ëgzim i jashtëzakonshëm. Të vija te Milani ishte një ëndërr, që tashmë është realizuar. Një moment shumë i rëndësishëm për mua, por sot do të fle dhe nesër do të stërvitem i qetë”, - tha mesfushori që ka firmosur për 5 vite me Milanin.

Tonali vjen nga Breshia në formë huazimi për 10 milionë euro, me të drejtën e blerjes për 25 milionë euro, plus 10 milionë bonuse, që hyjnë në fuqi me arritjen e objektivave të caktuara. Nëse Milani e shet në të ardhmen, 10% e vlerës së shitjes i takon Breshias. Tonali do të jetë i lidhur me Milanin deri në qershor të 2025-ës. Ai do të përfitojë 2 milionë neto në vit, plus disa bonuse në varësi të rezultateve dhe paraqitjes individuale. Mesfushori do të veshë fanellën me numër 8.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë