Futboll

Milani pranë zonës europiane, Maldini s’ndryshon qëndrim për Rangnik

Barazimi 2-2 në Napoli e mban Milanin pranë zonës europiane, 2 pikë larg vendit të 6-të që mbahet pikërisht nga skuadra e Elseid Hysajt. Kuqezinjtë bënë një ndeshje të mirë, shënuan të parët, më pas u ndëshkuan dy herë, por arritën të barazonin dhe të merrnin një pikë të rëndësishme në një transfertë nga më të vështirat.

Në anën tjetër, për Milanin ka një tjetër çështje të rëndësishme që pritet të marrë zgjidhje. Ardhja e Ralf Ragnik në një rol krejtësisht të ri, trajner, drejtor teknik dhe jo vetëm, do t’ia mbyllte hapësirat drejtorit aktual, Paolo Maldini, i cili i qëndron besnik deklaratës që ka dhënë më parë për gjermanin, kur u shpreh se “ai duhej të mësojë respektin para se të mësojë italishten”.

Paolo Maldini, drejtori teknik i Milanit. Gazeta Si, 13 korrik 2020

"Dua t’i evitoj këto diskutime për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë, - tha Maldini para ndeshjes me Napolin. – Edhe sikur klubi të më kishte paralajmëruar për planet e së ardhmes, nuk do ta thosha. Duhet t’i ofrojmë mbështetje skuadrës që me punën e Piolit po arrin rezultate shumë të mira. Do ta thosha përsëri atë që kam thënë në shkurt për Rangnik. Nuk ishte një fjali kundër personit, nuk kam asgjë personale me të, e kisha për mënyrën si po bëheshin gjërat”.

Milani në 2020-ën po arrin rezultate të mira, por po paguan fillimin e dobët të sezonit. "E dija që kjo skuadër do të zhbllokohej dhe jam krenar. Disa lojtarë kanë treguar një formë shumë të mirë, si Rebiç, Ibrahimoviç dhe Benaser, por edhe Kesi është shndërruar në një lojtar të kompletuar dhe në mesfushën me dy qendra më ka surprizuar vërtet. Kemi shumë lojtarë të rinj të talentuar dhe kemi kërkuar me ngulm të marrim dy ekspertë si Ibra dhe Kjaer që ata të rriten. Edhe unë, pa Barezin dhe Tasotin nuk do të kisha bërë atë që bëra, ndihesha i sigurt me ta. Fanella e Milanit peshon, është historia. Nuk mund të mbajnë ata të rinj që nuk janë mësuar me këtë fanellë”, - ka përfunduar Maldini.
Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë