Futboll

Milani në ankth, Ibrahimoviç dëmtohet dhe mund të mungojë gjatë

Alarm te Milani. Zllatan Ibrahimoviç ka pësuar një dëmtim në pulpë dhe rrezikon të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë. Bëhet fjalë për një tërheqje, por frika e stafit mjekësor është se mund të jetë prekur edhe “tendina e Akilit”. Nëse është tërheqje, rikuperimi kërkon një deri në dy muaj kohë, ndërsa po të jetë dëmtuar edhe tendina, do të duhej shumë më shumë kohë. Burime nga klubi i Milanit bëjnë me dije se është dëmtuar vetëm pulpa.

Ibrahimoviç është dëmtuar në fundin e ndeshjes testuese në stërvitje. Gjatë një vrapimi ai ka ndjerë dhimbje të fortë dhe është detyruar të lërë Milanelon, qendrën stërvitore të kuqezinjve. Nesër do të kryejë analizat dhe vizitat e nevojshme. Shqetësimet në pulpë e ndalën sulmuesin suedez edhe në shkurt, kur humbi ndeshjen me Veronën dhe u kthye në derbi. Tani ekziston frika për një dëmtim më serioz, edhe pse duhen pritur përgjigjet e analizave.

Sido që të shkojë, dëmtimi i sulmuesit 38-vjeçar e privon Milanin nga një lojtar i rëndësishëm dhe i stërvitur, pasi Ibrahimoviç kishte punuar në Suedi me Hamarbin. Një mungesë e madhe në një moment kyç të sezonit, kur kampionati pritet të rinisë dhe ndeshjet do të jenë shumë të ngjeshura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë