Gazeta Si – Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe dëmtimit të Loftus-Çik, kuqezinjtë goditën në pjesën e dytë me ish-lojtarin e Çelsit dhe sulmuesin zviceran. Pioli mban kreun me 18 pikë.
Suksesi i dytë në tri ndeshje të mëdha të luajtura për Milanin, që ka mundur dy skuadrat e Romës. Pjesa e parë ishte e barabartë, pastaj u ‘ndez’ Leao, i cili dha dy pasimet vendimtare për golat e Pulisiç dhe Okafor. Lacios iu anulua një gol i Pedros në shtesë. Skuadra e Sarrit është larguar nga ‘San Siro’ me një 2-0 të rëndë.

Vazhdon kështu marshimi i Milanit, që mban vendin e parë në Serinë A. Në ndeshjen e sotme trajneri Stefano Pioli ka humbur mesfushorin anglez Loftus Çik që në pjesën e parë për një problem muskulor. Vendin e tij e zuri Musah. Rafael Leao ishte frymëzues në pjesën e dytë dhe arriti ta çante mbrojtjen e Lacios, duke ndërtuar 2 golat e fitores.
Elseid Hysaj luajti 90 minuta në këtë ndeshje, ku trajneri Sarri e aktivizoi në krahun e majtë të mbrojtjes. Futbollisti shqiptar ishte ndër më të mirët në prapavijën e Lacios, i vlerësuar me notën 6.9.
Pak orë më parë Napoli kishte fituar thellë, 0-4, në fushën e Leçes së Ylber Ramadanit. Mesfushori kuqezi luajti një 90-minutësh të plotë edhe këtë herë, por ndryshe nga më parë, nuk ishte në nivelin e duhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.