Futboll

Milani i ri/ Rinovim me Donaruma-Romanjoli, 20 mln për talentin e Salcburgut

Lëvizje të rëndësishme për Milanin e ardhshëm, rinovime dhe përforcime për kuqezinjtë. Vullneti i Xhixho Donarumës është i qartë: ai do të qëndrojë te Milani dhe nga drejtuesit e tij tani duhet zgjidhur çështja e kontratës. Një temë, për të cilën jo rastësisht Paolo Maldini foli para ndeshjes me Romën. Drejtuesi kuqezi la të kuptohet se palët do të ulen në bisedime për të folur për një akord të mundshëm për rinovimin.

Nuk ka ende një datë për takimin me Mino Raiolën, prokuratorin e portierit, por ka optimizëm për vazhdimin e bashkëpunimit. Synimi është për zgjatjen e kontratës edhe për 2 vjet, me një klauzolë për prishjen e parakohshme të saj, çka do ta lejonte Milanin të mos e humbte me parametra zero këtë ”xhevahir të çmuar”. Raiola në fakt kërkon garanci nga klubi kuqezi, që për momentin nuk i ka. Gjatë takimit do të diskutohet për këto detaje, pasi në lojë është e ardhmja e portierit, por edhe perspektiva për rilindjen e Milanit. Largimi i Donarumës do të ishte një goditje e madhe për kuqezinjtë.

Portieri Donaruma, pranë rinovimit me Milanit. Gazeta Si, 29 qershor 2020

Përveç të ardhmes së portierit të ri, në takimin mes Raiolës dhe drejtuesve të Milanit, do të diskutohete dhe për mbrojtësin Romanjoli, kontrata e të cilit skadon në vitin 2022. Për mbrojtësin italian ka një interesim të fortë nga ana e Atletiko Madridit. Edhe Romanjoli dëshiron të qëndrojë, por agjenti i tij kërkon që paga e mbrojtësit të shkojë në 5 milionë euro nga 3.5 milionë që merr sot. Në planet e Milanit është edhe blerja e kartonit të Simon Kjaerit nga Sevilja për 3.5 milionë euro.

Në planet e afërta kuqezi nuk janë vetëm rinovimet, por edhe blerjet. Milani po këmbëngul për hungarezin Dominik Szoboszlai, një emër i rëndësishëm në listën e trajnerit Ralf Rangnik për ekipin e së ardhmes, nëse gjermani do të marrë drejtimin e skuadrës. Rangnik e njeh mirë mesfushorin e Salcburgut, i datëlindjes 2000. Ai po ndiqet edhe nga klube të tjera europiane, si PSG dhe Arsenali, por edhe Lacio në Itali. Dhe figura e Rangnik mund të jetë vendimtare në zgjedhjen e lojtarit. Ditët e fundit ka pasur kontakte me agjentin e lojtarit, Matias Esterhazi dhe palët duken afër.

Klubi austriak kërkon 25 milionë euro për Szoboszlain, ndërsa Milani synon ta bëjë të vetin për 20 milionë euro. "Kemi pasur kontakte javët e fundit me Rangnik, - ka thënë drejtori sportiv i Salcburgut, Kristof Freund. – Nuk e di, nëse do të shkojë te Milani. Gjithsesi, është thelbësore që djemtë tanë të zhvillohen dhe të kërkohen nga klubet e mëdha. Ka shumë rëndësi të vazhdojmë të rritim të rinj të talentuar".
Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë