Qëndrimi i fundit zyrtar i Bernard Arnault, biznesmenit të njohur francez, në lidhje me blerjen e mundshme të Milanit është ai i 5 muajve më parë, kur ai përgënjeshtronte lajmin. Por, sipas asaj që raporton “La Repubblica”, në ambientet ekonomike ndërkombëtare po shtohen zërat për takimin e tij me Gordon Singer, pronarin actual, për blerjen e klubit kuqezi. Shifra? Thuajse një miliard euro, me Alegrin dhe Braidën në projektin e ri.

Intriga për këtë marrëveshje të mundshme luhet në tre tavolina, në Paris, ku ndodhet padroni i “LVMH”, në Londër, në selinë angleze të “Elliott”, dhe në Salcburg, ku burime të afërta pranë kompanisë “Red Bull” sigurojnë se Ralf Rangnik i ka përshëndetur të gjithë para se të bashkohet me Milanin. “Ndeshja” luhet në këto tre tavolina: klubi aktualisht beson te gjermani i Salcburgut, ndërsa pronarët e rinj të mundshëm kanë të tjera profile që ngacmojnë kujtesën e tifozëve milanistë.
Me Milanin në duart e Arnault, merkatoja do të bëhej nga Ariedo Braida, i cili dëshiron si trajner të skuadrës Masimiliano Alegrin. Dy ish-drejtues të rëndësishëm për ta kthyer Milanin në nivele të larta si një klub prestigjioz i një qyteti luksi dhe mode, detaje që nuk mund të anashkalohen kurrsesi. Gazeta romane bën me dije se ditët e fundit janë hedhur hapa përpara edhe për ristrukturimin e “San Siros” për shtimin e zonave komerciale, një aset që shton shanset për një marrëveshje që do ta çonte Milanin në duart e pronarit të tretë në pak më shumë se tre vjet.
Burimi: Sportmediaset / Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.