Futboll

Milani “bombardon” Strakoshën, feston dyfish Juventusi

Pasi mundi 4-1 Torinon në derbi, Juventusi mori edhe një dhuratë nga Milani në mbrëmje. Kuqezinjtë mundën thellë 0-3 Lacion e vendit të dytë në “Olimpiko”. Tri herë shënoi Milani në portën e Tomas Strakoshës, i cili për pak sa nuk i priti penalltinë Zllatan Ibrahimoviçit, por topi i iku nga duart. Më parë portieri kuqezi pësoi një gol spektakolar nga Çalhanoglu, ndërsa në pjesën e dytë vulosi rezultatin Rebiç.

Lacio vinte në këtë ndeshje me shumë mungesa, ku veç kapitenit Luliç, nuk luanin dy sulmuesit Imobile dhe Kaisedo, por edhe mbrojtësi brazilian Luiz Felipe dhe Marusiç. Pas kësaj humbjeje të thellë, Lacio duket se i thotë lamtumirë titullit në Serinë A, pasi Juventusi shkëputet në 7 pikë. Bardhezinjtë kanë 75 pikë pas javës së 30-të, kurse Lacio 68.

Nga ndeshja Lacio-Milan, 0-3. Gazeta Si, 4 korrik 2020

Milani ndërkohë, pas këtij suksesi të rëndësishëm, ngjitet në vend të 6-të, në kuotën e 46 pikëve. Me këtë pozicion kuqezinjtë shkojnë në Lugën e Europës. Mjaft i rëndësishëm për Milanin ishte rikthimi i Ibrahimoviç titullar. Suedezi luajti një pjesë loje dhe shënoi golin e dytë me penallti, ku pati edhe fat, sepse Strakosha kuptoi gjithçka, por pa mundur ta ndalte topin të shkonte në rrjetë. Mbrojtja e Lacios ishte në një ditë shumë të keqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë