Futboll

Milan-Hysaj bëhet serioze, Maldini hidhet në sulm për shkodranin

Elseid Hysaj do të lërë Napolin në verë, mes futbollistit të Kombëtares dhe klubit italian janë ftohur marrëdhëniet dhe për rinovim as që bëhet fjalë. Nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim të papritur, shkodrani do të ndryshojë skuadër pas disa muajsh dhe për momentin emri i tij lakohet më shumë te Milani. Ata që dukeshin thjesht si zërat e zakonshëm të merkatos, tashmë kanë gjetur konfirmim nga  Alfredo Pedulla, një nga ekspertët e njohur të merkatos në Itali. Ky i fundit, duke shkruar në faqen e tij zyrtare, ka theksuar se firma e futbollistit shqiptar po afron gjithnjë e më shumë.

Kjo pasi ka një dialog të vazhdueshëm mes palëve. Sipas tij, ka një diferencë të vogël mes kërkesës së Hysajt dhe ofertës së Milanit, por ajo nuk cilësohet e paarritshme nga palët.

“Kërkesa e mbrojtësit shqiptar që është në fundin e kontratës me Napolin, është 3 milionë euro në sezon, por mund të mbyllet me 2,5 milionë euro plus bonuse.

Meqë po flasim për një profil të ri, nuk është ende 27 vjeç, Milani ka preferuar që të kërkojë një parametër zero të besueshëm, ndërsa e vlerësoi të tepruar kërkesën prej rreth 20 milionë eurosh të Manchester United për Dalot.

Koha që është zgjedhur për këto diskutime, tregon dëshirën për të finalizuar lëvizjen me sigurinë e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, por nuk përjashtohet që koha të jetë edhe më e shkurtër deri te firma”, shkruante Pedulla në artikullin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë