Ne rrjet

Mike Pence sfidon Donald Trump në primaret republikane për zgjedhjet presidenciale

Gazeta Si - Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, del në terren për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, gati për të sfiduar ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë Donald Trump si kandidat republikan.

Pence, i cili dorëzoi dokumentet në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, do ta bëjë njoftimin zyrtar të mërkurën, më 7 qershor, ditën e ditëlindjes së tij të 64-t, me një video dhe një ngjarje në Des Moines, Iowa, siç raporton CNN.

Sipas sondazheve, Pence tani është larg nga Trump në preferencat e votuesve republikanë. Fushata e tij do të zhvillohet kryesisht në Iowa, shteti ku zhvillohet votimi i parë i zgjedhjeve.

Një ish-guvernator i Indianës, Pence e sheh Iowa-n si terren të favorshëm për tërheqjen e votave konservatore.

Pence kishte qenë zëvendëspresident i Trump, por kishte refuzuar ta mbështeste atë kur ai u përpoq t’i përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden.

Ish-guvernatori i Indianas është distancuar gjithnjë e më shumë nga Trump, duke thënë se veprimet e Trump që inkurajuan sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit më 6 janar të vitit 2021 e kishin rrezikuar atë dhe familjen e tij, të cilët kishin qenë në ndërtesë në atë kohë.

Pence i bashkohet një numri të madh të kandidatëve republikanë, që përfshijnë Trump, senatorin amerikan Tim Scott, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.

Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum po planifikon gjithashtu të hyjë në garë së shpejti, sipas burimeve të "Reuters".

Edhe ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, do t’i bashkohet garës më 6 qershor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kandidatëve republikanë në dyshifrorë.

Numri i madh i kandidatëve ka shqetësuar shumë kundërshtarë të Trump brenda Partisë Republikane, të cilët kanë frikë se vota kundër Trumpit mund të ndahet dhe t'ia dorëzojë kështu nominimin e partisë ish-presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë