Politike

Mike Pence përcjell mesazhin e Trump në nder të McCain

Donald Trump nuk ishte personalisht i pranishëm në ceremoninë solemne në nderim të John McCain, të mbajtur në Kongresin amerikan, por mesazhin e shefit të Shtëpisë së Bardhë e përcolli zv.Presidenti, Mike Pence.

"Presidenti më kërkoi të vija këtu për t’i kthyer një borxh nderi dhe respekti një njeriu që i shërbeu vendit tonë gjatë gjithë jetës së tij, si në uniformë, ashtu edhe në poste publike", deklaroi Pence gjatë ceremonisë së zhvilluar pasditen e së premtes.

Qindra anëtarë të Kongresit ndoqën ceremoninë, përpara arkëmortit që mbështetej mbi një katafalk prej druri, i përdorur për herë të parë në vitin 1865, në ceremoninë e organizuar për nder të presidentit të vrarë, Abraham Lincoln.

Kolegu republikan i Senatorit McCain dhe udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch Mçonnell, tha se ky nderim është plotësisht i merituar për një njeri që i shërbeu vendit në përiudhën më të vështirë të tij.

"Është e merituar që sot, afër fundit të udhëtimit të tij të gjatë, John të qëndrojë këtu, në këtë sallë të madhe, nën këtë kupolë të fuqishme, si heronjtë e tjerë amerikanë para tij. Tani që kjo valë e papërmbajtur i afrohet brigjeve të përjetësisë, ne falënderojmë Zotin që i dha këtij vendi senatorin John McCain", ishin fjalët e tij.

Presidenti Donald Trump nuk u ftua në ceremoninë e së premtes dhe as në funeralin e Senatorit dhe ky vendim interpretohet si kritika e fundit e John McCain ndaj Presidentit të SHBA. Përplasja mes Trump dhe senatorit McCain, i cili ka qenë dy herë kandidat për President, nisi gjatë fushatës së kandidatit Trump në vitin 2016, kur ai e ironizoi Senatorin për faktin që u kap rob gjatë luftës së Vietnamit dhe tha se për këtë arsye McCain nuk ishte hero lufte.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e përshkroi senatorin McCain si "një nga shpirtrat më të guximshëm që ka prodhuar ndonjëherë Amerika".

Për nder të senatorit të ndjerë, Anders Fogh Rasmusen, Javier Solana dhe George robertson, që të tre ish-Sekretarë të Përgjithshëm të NATO-s, kanë propozuar që selisë së re prej 1.4 miliardë dollarësh të aleancës me qendër në Bruksel, t’i vihet emri John McCain.

"Pavarësisht se ishte senator i Shteteve të Bashkuara, ne kudo në Europë mendojmë se John McCain III ishte një nga tanët", shkruanin ata në një letër për gazetën britanike The Times.

John McCain vdiq një javë më parë në moshën 81-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit.

Burimi: Zëri i Amerikës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë