Lacio dhe tifozët e saj e prisnin prej vitesh një sfidë Championsi si kjo me Bajernin e Mynihut, favorit në letër për të kaluar në çerekfinale. Nesër, në “Olimpico” të Romës luhet akti i parë.
Lacio nuk ishte me fat në short, siç pranoi edhe trajneri Simone Inzagi, kur tha: “E vetmja gogël që nuk do të donim të peshkonim në short, ishte ajo”. Gjithsesi, në këtë pikë të kompeticionit çdo kundërshtar do të ishte i fortë. Bavarezët u “dehën” pak nga Botërori i klubeve dhe vijnë pas një barazimi dhe një humbje në kampionat.

Bajerni është i fortë, por jo i pathyeshëm, aq më tepër që ka shumë mungesa për shkak dëmtimesh dhe Covidi. Megjithatë, Lacio ka shanse minimale ndaj gjermanëve. E thotë një nga ikonat e bavarezëve, Mikael Balak, i cili për DAZN është shprehur:
“Në letër nuk ka histori mes Bajernit dhe Lacios, por rreziku është gjithmonë aty. Mendoj se Bajerni është një skuadër serioze dhe profesioniste që nuk i nënvlerëson kurrë kundërshtarët. Në dy ndeshjet me Lacion duhet dhënë maksimumi, por besoj se Bajerni do të kalojë pa probleme”.
Për ndeshjen Lacio-Bajern Mynih ka folur edhe ish-sulmeusi i njohur gjerman, Mirosllav Klose, që ka luajtur me të dyja skuadrat. Edhe ai nuk e ka vënë në diskutim kualifikimin e bavarezëve. Klose ka vlerësuar Imobilen, por ka pohuar gjithashtu se nuk është në nivelin e Levandovskit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.