Lajme

“Migjeni” i bashkohet “Lasgushit”, avioni i dytë i Air Albania

Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se avioni i dytë i Air Albanias, i pagëzuar me emrin “Migjeni” do të nisë fluturimet me destinacion Italinë në fillim të vjeshtës.

Rama shpjegon se avioni është i markës Boeing 737 dhe prodhim i vitit 2016, sipas tij me standardet më të larta të shërbimit për pasagjerët.

“Nga trupa shqiptare e stjuartëve, që nga ushqimi në bord që ishte harruar prej shumë vitesh për udhëtarët e Rinasit dhe me televizor për çdo pasagjer, si asnjëherë më parë”, shkruan ai.

“Migjeni” është avioni i dytë që i bashkohet kompanisë Air Albania, krijuar me ndihmën e “Turkish Airlines”. “Lasgushi” ishte avioni i parë, që fluturimin e parë e kreu në drejtim të Stambollit. Rama premton se dy avionët nuk do të jenë të vetmit.

“Tani vazhdoni shani e përqeshni që mos na marrin më sysh, ndërkohë që “Naimi” do t’i shtohet flotës në fund të vitit për destinacione të tjera europiane dhe më tej, do të vijë “Noli” për linjën direkte Shqipëri-Amerikë. tutje do të vazhdojë zgjerimi i flotës me të tjerë, bazuar mbi suksesin e fazës së parë, po më mirë i’a lemë kohës të na tregojë e të flasë”, shkroi ai.

Në fund, Rama ironizon kritikët e tij.

“Gur gur bëhet mur, mur pas muri bëhet kalaja thotë Populli, po normal që çdo popull ka të paduruarit e të pagdhendurit e vet, kështu që rroftë puna se ajo mbetet, ndërsa llafet lum kush i duron deri kur t’i marrë era”, mbyll postimin e tij kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë