Futboll

Miccoli tregon arsyet e dorëheqjes, zbulon prapaskenat te Dinamo

Ka zgjatur vetëm dy muaj aventura shqiptare e Francesco Moriero dhe Fabrizio Miccoli, të cilët erdhën me bujë te Dinamo. Fillimisht, ishte trajneri Moriero që me një postim në faqen e tij zyrtare bënte me dije se kishte dhënë dorëheqjen nga stoli i bluve bashkë me stafin e tij.

Deklarata e klubit të Dinamos se trajnerët ishin shkarkuar nga blutë si dhe fjalët e presidentit Pontreli se nuk kishte kohë të merrej me emra, nuk është kapërdirë lehtësisht të paktën nga Fabrizio Miccoli, i cili nëpërmjet mediave italiane ka treguar versionin e tij rreth kësaj ngjarje. Në një intervistë të dhënë për “TuttomercatoWeb”, Miccoli është shprehur se ata nuk u paguan nga klubi dhe për këtë arsye, vendosën të mbyllin bashkëpunimin.

“Nuk ishin kushtet për të vazhduar, kohët e fundit nuk kemi marrë para, në fakt kemi humbur. E jona ishte një zgjedhje pasioni dhe për të krijuar eksperiencë”, tha Miccoli për “TMW” ndërsa konfirmoi se ishte drejt kthimit në Itali.

“Kemi dhënë dorëheqjen. Gjithë ky konfuzion ka lindur nga fakti se trajneri Moriero nuk përshëndeti presidentin. Por nëse kemi dhënë dorëheqjen qartësisht do të thotë se diçka nuk shkon. Edhe ne nuk kemi kohë që të humbasim, por kemi humbur dy muaj. Dhe nëse do të kisha menduar për emrin, nuk do të kisha shkuar në kategorinë e dytë shqiptare.

Ishte një eksperiencë mësimore. Kemi njohur djem të shkëlqyer. Por pyes veten pse të mbyllësh eksperiencën duke krijuar konfuzion apo humbur kohë? Ne jemi njerëz që duam të punojmë, jemi njerëz të mbarë”, ishin fjalët e ish-sulmuesit të Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë