Politike

Meta zbret në bazë: Na duhet kryeministër atdhetar, ‘Ballkani i Hapur’ shkatërroi prodhimin vendas

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një takim me strukturat e partisë në Korçë është shprehur se Shqipëria meriton një kryeministër atdhetar.

“Unë mendoj se në çdo rast, Shqipëria do të ketë një kryeministër shumë më të përgjegjshëm dhe atdhetar, dhe absolutisht që është detyra e çdo qytetari të kontribuuojë për një qeverisje e cila pranon llogaridhënien dhe e cila i jep fund bullizimit të qytetarëve të saj dhe njëkohësisht shpopullimit dramatik të vendit”, tha kreu i PL.

Meta foli dhe për protestat e fermerëve ku tha se Ballkani i Hapur shkatërroi prodhimin vendas.

“Mbështetje protestës së fermerëve të Pirgut dhe Maliqit. U bë e disata herë, i disati vit që prodhimet e tyre, që mollët e tyre, qepët, patatet e tyre nuk dalin në treg dhe djersa e tyre shkon dëm. Sepse kjo ishte loja e Ballkanit të Hapur.

Ballkanit të Hapur i dështoi qëllimi për të dëmtuar Kosovën, por Ballkani i hapur pati sukses të madh për të shkatërruar prodhimin tonë vendas, sepse u shqyen të gjitha dyert për prodhimet e importeve, u hoq çdo mbështetje për fermerin tonë. Mbështetja për fermerët dhe prodhuesit në Serbi dhe Maqedoni shumë herë më e madhe, ndërsa në Shqipëri fermerët përballen me persekutime.

Fermerët ngarkohen me tatim 20% që në shitje, që është më i larti në rajon dhe më i larti në Europë, ndaj prodhimet e importit e kanë fituar garën që pa nisur. Qeveria nuk ka vullnet për të rritur tarifat doganore për produktet e importit, siç e lejon dhe marrëveshja për tregtinë e lirë, sepse kjo është një qeveri që nuk ka interes të mbështes prodhuesit dhe prodhimin. Kjo është një qeveri që u shërben oligarkëve dhe importuesve”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë