Lajme

Meta vlerëson ambasadoren e Greqisë: Shqiptarët e grekët jetojnë bashkë

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar ambasadoren e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Ceremonia u zhvillua në mjediset e Presidencës dhe morën pjesë ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, ish-ministra të Jashtëm, diplomatë shqiptarë dhe personalitete të ndryshme të fushës.
Presidenti Meta i dorëzoi ambasadores Sourani titullin e lartë me motivacionin:
“Në vlerësim të veprimtarisë së spikatur diplomatike dhe kontributit të çmuar për avancimin e gjithanshëm dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helenike, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve tanë fqinj, si dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë”.
Në fjalën e mbajtur, presidenti Meta u shpreh se “shqiptarët dhe grekët jetojnë historikisht krah për krah njëri-tjetrit si fqinj”.
“Shqiptarët dhe grekët jetojnë historikisht krah për krah njëri-tjetrit si fqinj, ndaj na duhet të jetojmë dhe të punojmë së bashku për paqen, prosperitetin, stabilitetin në vendet tona dhe në mbarë rajonin, si dhe për të ardhmen e përbashkët në Europën e Bashkuar”, u shpreh ndër të tjera presidenti Meta.
Më herët, presidenti Meta priti në një takim lamtumire Ambasadorin e Suedisë, z.Johann Ndisi.
Presidenti Meta e falënderoi Ambasadorin Ndisi për kontributin e dhënë në forcimin mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Presidenti Meta me ambasadorin e Suedisë, z.Johann Ndisi

Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Suedisë, por theksoi se ekzistojnë hapësirat për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomiko-tregtare.
Presidenti Meta falënderoi qëndrimin mbështetës të Suedisë për proceset e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, si dhe për asistencën zhvillimore për forcimin e kapaciteteve administrative, zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si edhe mjedisin dhe klimën.
Presidenti Meta u shpreh se investimet suedeze janë të mirëpritura edhe në fushën e shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme dhe për zhvillimin e turizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë