Lajme

Meta: Vlerat e demokracisë po na shemben para syve

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur sot Kongresin e 7-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të mbajtur në Tiranë.
Për shkak se ndodhet në Strasburg, në kuadrin e një vizite zyrtare, Presidenti Meta u përcolli sindikalistëve pjesëmarrës në këtë Kongres, mesazhin e tij përmes Këshilltarit për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani.
“Sot jemi përsëri përpara një situate, në të cilën vlerat e demokracisë po shemben para syve tanë. Kjo nuk ndodh për shkak të rrugës së zgjedhur së bashku 30 vjet më parë, por si rrjedhojë e deformimeve që ka pësuar demokracia dhe sistemi qeverisës në këto vite.
Në Shqipëri po instalohet një politikë dhe ekonomi larg interesave të qytetarëve dhe jashtë kontrollit të tyre. Mungojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shtypen sindikatat dhe zëri i tyre. Kapen dhe bllokohen organizatat e shoqërisë civile. Shtypi e media janë gjerësisht nën thundrën e censurës dhe në shërbim të shtetit propagandistik. Që të dalim nga kjo situatë, duhet të pranojmë sa poshtë kemi rënë!”, thotë presidenti Meta.
Kreu i shtetit ndër të tjera thekson se “Vendi ka nevojë për një frymë dhe një model të ri politik”.
Në Kongresin e 7-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili premtoi se brenda 6 mujorit të parë të mandatit të tij do të rrisë pagën minimale në 300 euro dhe deri në fund të mandatit do të rritet 400 euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë