Politike

Meta: Të përmbysim klikën oligarkike. Rama: Ke ikur nga trutë e kokës

Mes Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur një replikë në distancë nisur nga dy këndvështrime të ndryshme.

Meta ka shkruar që me mëngjes në Facebook se, “referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh”.

“Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë”, shkruan Meta lidhur me debatin që ka lindur kryesisht në media mbi mënyrën se si ai po zhvillon takimet nëpër qytete

“Më 25 prill 2021, Demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë. Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit...”, shkruan Meta.

Ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me drejtuesit politik të qarqeve.

“Unë nuk mendoj se ka nevojë për komente, veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sytë e të gjithëve.

Ilir Meta nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon Kushtetuta, por është praktikisht nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës.

Një President që bën propagandë kundër qeverisë që flet me një gjuhë rruge, që lëviz ditën dhe natën për qëllime elektorale, që e ka vënë zyrën e rojtarit të Kushtetutës në dispozicion të ndërmarrjes që e menaxhon e shoqja dhe që çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën, nuk ka nevojë që ta komentoj unë sepse të gjithë e shohin, e kuptojnë, e ndjejnë dhe të gjithë do ta dënojnë në 25 prill sepse është përtej çdo mundësie për ta justifikuar”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë