Ashtu si edhe opozita, Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se pas 25 prillit, çdo ligj apo kontratë koncesionare që është kthyer në Kuvend dhe për të cilat nuk ka pasur reflektim, do të ketë hetim të plotë. Meta nenvizoi gjithashtu se nuk pati reformë në drejtësi të suksesshme
“Pa asnjë diskutim nëse do të kishim pasur vërtet një Reformë në Drejtësi të suksesshme, kurrë nuk do të kishin guxuar ministrat, Qeveria, por edhe vetë Kuvendi të bënin këto dhe shumë afera të tjera.
Të jeni të sigurt se pas 25 prillit çdo shkelje ligjore dhe çdo falsifikim në dëm të interesit publik, do të ndiqet me rigorozitet të plotë. Prandaj u bëra ftesë të gjitha forcave politike, përveç deputetëve që shpresoj të reflektojnë, por edhe atyre që garojnë në zgjedhjet e ardhshme, ta lexojnë më vëmendje këtë çështje...”
Presidenti i referohet dekretit të tij për kthimin për rishqyrtim të ligjit për ratifikimin e një ndryshimi të marrëveshjes së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” që zgjatet me 13 vjet.
Sipas Metës, ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta dhe anashkalon të gjithë kuadrin ligjor në fuqi.
“Kuvendi duhet të kërkojë vënien para përgjegjësisë të çdo funksionari publik, që ka konsumuar shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit përgjatë procedurave të ndjekura, të vlerësimit të propozimeve, negocimit, e deri te hartimi, nënshkrimi i kontratës dhe servirja për miratim me ligj, të kësaj marrëveshjeje shtesë koncesionare, që haptazi është në dëm të interesit publik, shtetëror dhe kombëtar.
I bëj thirrje çdo deputeti dhe çdo zyrtari të lartë të administratës, të reflektojë me shumë përgjegjësi mbi këtë nismë dhe të respektojë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet e vendit, që janë në zbatim të saj, duke e paralajmëruar njëkohësisht se për çdo vepër penale të konsumuar, gjithçka po mbahet shënim dhe nuk do të ketë kurrë amnisti, por vetëm drejtësi, veçanërisht pas 25 prillit, kur vendi do të kthehet njëherë e përgjithmonë në shinat e shtetit të së drejtës”, tha Meta.
Presidenti ka publikuar në faqen e Presidencës të gjithë argumentin e tij 43 faqesh për këtë çështje.
“Po u jap mundësinë të gjithë deputetëve të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimin për të ruajtur të pacenuar interesin publik dhe kombëtar të shtetit shqiptar dhe të shtetasve të tij, duke e kthyer mbrapsht në Këshillin e Ministrave këtë nismë legjislative.
Po ndaj me ju dhe me të gjithë opinionit publik, 43 faqet me argumentet ligjore për kthimin e kësaj nisme, me shpresën, por edhe me dëshirën, që të gjeni kohën e mjaftueshme për t'i lexuar, pa ngritur kartonin, duke ulur kokën, siç fatkeqësisht keni vepruar në shumë raste”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.