Politike

Meta shkresë OSBE/ODIHR: Zgjedhjet janë nul, procesi i 30 qershorit nuk mund të mbahet


Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një shkresë zyrtare selive së OSBE-së dhe ODIHR duke i njoftuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul dhe se ato nuk do të mbahen. Betejën për dekretin e anulimit, presidenti e ka zhvendosur në arenën ndërkombëtare, duke njoftuar pikërisht dy institucionet që merren me monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në letrën që mban datën 19 qershor 2019 dërguar zyrtareve te OSBE/ ODHIR Presidenti Meta i njofton zyrtarët se nëse zgjedhjet do të mbahen në kundërshtim me dekretin do të jenë nul dhe të pavlefshme.
“Sipas legjislacionit në fuqi, dekreti me nr 1199 i datës 10.06.2019 është në fuqi dhe është i publikuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë më datën 11 qershor. Për këtë dekreti është ligjor dhe duhet të implementohet nga të gjithë institucionet përfshirë dhe administratën e procesit zgjedhor në Shqipëri, përfshi dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë arsye procesi zgjedhor që mund të mbahet në dhunim të dekretit të presidentit do të jetë nul dhe i pavlefshëm”, shkruan Meta.
Si i tillë kreu i shtetit ka në letrën e tij shprehet se përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për mos zbatuar dekretin ndikojnë në përkeqësimin e krizës politike.
“Për këtë arsye procesi zgjedhor që mund të mbahet në dhunim të dekretit të Presidentit do të jetë nul dhe i pavlefshëm dhe përpjekjet e Kryeministrit të Shqipërisë për të injoruar dhe bllokuar implementimin e dekretit të Presidentit të Republikës janë totalisht të paligjshme dhe do të dëmtojnë krizën në Shqipëri",- shkruhet ndër të tjera në letër.

Letra i është dërguar kryetarit të Radhës i OSBE-së njëherësh edhe Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, kryesueses së ODHIR-së për Institucionet Demokratike, Ingibjörg Sólrún Gísladóttir.

Reagimi i OSBE-së për incidentet në KZAZ
Pas publikimit në media të lajmit të letrës së Presidentit drejtuar selive të OSBE-së dhe të ODIHR ka reaguar prezenca e OSBE-së në Tiranë. Ajo dënon dhunën e ushtruar ndaj Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.
“Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor. Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Më tej theksohet se “Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë