Politike

Arsimi, Meta: Qeveria flet për godina dhe jo për politika, pagat për mësuesit të miratohen me shumicë të cilësuar

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka mbledhur një tryezë të shtunën për situatën e arsimit në vend.

Meta tha se Shqipëria është e fundit në rajon për investimet në arsim, ndërsa në kërkimin shkencor investohet 56 herë më pak se mesatarja e BE.

“ Nga zhvillimi i arsimit dhe gjeneratave të reja varet suksesi i saj. 4 miliardë lekë investohen për arsimin nga 900 miliard që investohet për gjithçka tjetër ku prioriteti janë PPP-të, sepse paratë shkojnë aty ku vidhen më lehtë ndërkohë që duhet të shkonin për arsimin.

Duke i dhënë vetëm 2.2 % të PBB arsimit është e qartë se kësaj qeveri as nuk i bëhet vonë për arsimin. Ndërkohë që Bosnja shpenzon 5 % të buxhetit, Kosova 4.7 %, Mali i Zi 4.2% Serbia 4%. Në kërkimin shkencor investojmë 56 herë më pak se mesatarja e BE.

Sa herë flitet për arsimin qeveria flet për godina, por jo për politika. Shohim që bëhen inaugurime fasadash në fushën e arsimit sepse qëllimi kryesor është vjedhja në emër të tij”, tha Meta.

Ai kërkoi që financimi i arsimit të jetë në nivelin e 5% të buxhetit të shtetit, ndërkohë që aktualisht është 2.29%.

“Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar”, thekson më tej Meta, po ashtu edhe ligjet për arsimin të miratohen në parlament vetëm me 3/5-tat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë