Presidenti Ilir Meta ka lëshuar sërish mesazhe drejt partive politike për zgjidhje të krizës, duke u shprehur i hapur edhe për opsionin për të rishikuar datën 13 tetor nëse palët bien dakord.
Nga një takim në Xhafzotaj, presidenti ka folur për mediat, duke i kthyer përgjigje kështu edhe qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama se 13 tetori është një datë normale si të gjithë të tjerat dhe se zgjedhjet janë bërë më 30 qershor.
Presidenti deklaroi sot se kriza duhet të zgjidhet në mënyrë të përgjegjshme dhe sipas tij askush nuk do të dalë me kosto zero nga ajo që Presidenti e quajti "rrëmujëhane",
“Jam fleksibël, meqënëse zotit Rama mund t'i ketë dalë ters në filxhan 13 tetori, që ta shikoj 13 tetorin, por përpara 17-18 tetorit. Unë kam kaq shumë kohë që po e pres me shumë durim por edhe me shpresë për të dhënë një zgjidhje të përgjegjshme, sepse përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush nuk duhet të mendojë se do të dalë me kosto zero, veçanërisht ata që kanë punuar me përkushtim për të gatuar këtë rrëmujëhane sot në Shqipëri”, ka thënë Meta.
Presidenti gjithashtu deklaroi se e vetmja datë që nuk mund të negociohet është 17-18 tetori data që është vendosur nga Komisioni Europian për të vendosur për çeljen ose jo të negociatave. Ndërsa për herë të parë Meta u shfaq më i tërhequr, duke mos përmendur faktin se më 13 tetor mund të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nëse para kësaj date ne nuk do të arrijmë të organizojmë zgjedhje gjithë përfshirëse vendore dhe njëkohësisht të gjejmë një formulë të kësaj krize, provimi i vjeshtës është i pakalueshëm.N ë një kohë që ne duhet ta kishim gjetur këtë që para 10 qershorit kur e anulova datën e zgjedhjeve, të paktën të mos humbasim kohë. E vetmja datë që unë nuk mund të ndikojë dot është 17-18 tetori”, deklaroi Meta.
Sulmet ndaj ndërkombëtarëve: Gomari nuk fluturon
Edhe në këtë qëndrim Meta nuk ka ngurruar që të sulmojë një pjesë ndërkombëtarëve, që sipas tij mendojnë se integrimi mund të realizohet edhe me anë të qokave. “Duhet të kenë të qartë shqiptarët se nuk ka pasur zgjedhje të qytetarëve shqiptarë, zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Le të thotë çfarë të dojë çdo shqiptarë dhe ndërkombëtar që na thotë se gomari fluturon ne mund ti themi se kjo mund të ndodhë në art, në piktura, por në Shqipëri ne e dimë që gomari nuk është shqiponjë që të fluturojë. Të gjitha këto manovra, përpjekje, manipulime, përfshirë edhe qoka ndërkombëtare, janë kundër standardeve për zgjedhje të lira që janë standard i panegociueshëm për të marrë provimin e vjeshtës. Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndërkombëtare, vetëm me standarde. Këtë Edi, unë dhe Luli e dimë shumë mirë. Duan ta zgjidhin diku tjetër? Ata e dinë që është një adresë serioze ku mund të shkojnë ta zgjidhin këtë dhe unë i hap garanci për mbështetje”, deklaroi Meta.
Ai theksoi se me shumë durim po pres një zgjidhje të qëndrueshme se përndryshe kjo krizë do të vazhdojë të përshkallëzohet dhe askush të mos mendojë se do të dalë me kosto zero, sidomos ato që kanë punuar me shumë përkushtim këtë rrëmujëhane sot në Shqipëri.
“Nuk kam asnjë shqetësim për asnjë komision hetimor në Shqipëri, gjykatë institucion apo ndonjë që ka juridiksion mbi Republikën e Shqipërisë, i vetmi shqetësim është data 19 tetori. Çfarë do t’i themi qytetarëve shqiptarë? Që na e kanë Edi apo fajin Luli apo Mona, apo na e thanë ca amerikanë na futën gabim apo na gënjyen ca europianë që na e dhanë fjalën. Nuk i fshihemi dot përgjegjësi para shqiptarëve. Unë jam fleksibël për ta parë 13 tetorin, për mua ka rëndësi 17 dhe 18 tetori. Kemi futur mik të fortë për ta shtyrë provimin nga qershor për të na dhënë në vjeshtë”, deklaroi presidenti më tej.
Meta u shpreh i gatshëm që të kryejë negociatat me partitë politike, si me Ramën apo dhe Bashën, duke u shprehur se nëse e duan atë si president mund t’i drejtohen ndërkombëtarëve, duke iu drejtuar me shprehjen se ata e dinë adresën se ku mund të “trokasin”.
“Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndërkombëtare, vetëm me standarde ndërkombëtare, europiane. Ata që na e duan të mirën na e kanë thënë hapur se nuk kalojnë dot, edhe të paktën unë Edi dhe Luli e dinë mirë. Ata si të dëshirojnë një zgjidhje janë të mirëpritur në Presidencë në çdo moment, unë do të mbaj gjithmonë qëndrimin më të ndershëm më parimor për këtë çështje. Duan ta zgjidhin diku tjetër, ata e dinë shumë mirë se është një adresë diku tjetër ku mund të shkojnë ta diskutojnë dhe ta zgjidhin këtë çështje edhe unë t’u jap mbështetjen maksimale, duan të bëjnë pingpongun e përgjegjësisë”, theksoi Meta.
Edhe pse nuk ka tha ndonjë emër konkret se ku ndodhet ajo adresë, presidenti duket se po i adreson partitë edhe drejt Gjermanisë, ku edhe deputetët e Bundestagut kanë shprehur gatishmërinë për të kryer rolin e negociatorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.