Politike

Meta: Pse e dekretova herën e dytë Lleshajn si ministër

Pasi dekretoi Sandër Lleshajn në postin e Ministrit të Brendshëm, Presidenti Ilir Meta ka dhënë arsyet se pse herën dytë u bind për të firmosur pro gjeneralit.
Në studion e emisionit "Zonë e Lirë" të gazetarit Arjan Çanit, Meta dha arsyet se përse firmosi dhe nuk e ndërmori këtë veprim më 3 nëntor.

"Tani, dje në kohën pasi kam dalë emisioni i Eni Vasilit kam gjetur shkresën zyrtare të Ministres së Mbrojtjes, e cila në përputhje me ligjin duhet të bënte propozimin për lirimin e Lleshajt. Nëse do të ma kishin sjellë më parë, sigurisht do ta kisha bërë dekretimin. Arsyeja për mua është kushtetuese dhe është madhe", deklaroi Meta në emision, duke sqaruar zgjidhjen e ngërçit, që sipas kreut të shtetit erdhi vetëm pasi mbi tavolinë gjeti kërkesën e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka për nxjerrjen në lirim të gjeneral Sandër Lleshajt.

Gjithashtu Presidenti hodhi poshtë çdo mundësi që ketë ndonjë lidhje mes dekretit të nxjerrë për votimin e Vitore Tushajt si kryetare e KLSH-së, e cila edhe ajo njëherësh është anëtarë e Gjykatës Kushtetuese, me rastin Lleshajn.

"Ka një dallim, dekreti për Tushajn është propozim për Parlamentin, ndërsa për Lleshajn është për emërim si ministër. Në Shqipëri pushteti civil është i ndarë nga ai ushtarak. Dekreti i presidentit pa dekretit e mëparshëm (lirimin si ushtarak) do të ishte një shkelje e hapur dhe e qartë e Kushtetutës, si dhe do të ishte një shkelje e një parimi të një shteti ligjor dhe demokratik. Kjo ishte shumë e rëndësishme parimore", theksoi Meta.
Presidenti hodhi poshtë edhe reagimet e ardhura për propozimin e Tushajt, ku u aludua se me këtë lëvizje ai synonte të bllokonte Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

"Vitore Tushajt i ka mbaruar mandati në Gjykatën Kushtetuese, po rri aty për shkak të përgjegjshmërisë së saj, edhe mund t ë kishte ikur, siç kanë ikur edhe të tjerë. Edhe një nga arsyet se pse nuk ka ikur është se nuk ka dashur t'i shmangej Vettingut. Ajo nuk ka të drejtë të marrë mandat të dytë në Gjykatën Kushtetutën. Është mashtrim, një gënjeshtër, kjo se nuk mblidhet Këshilli Emërimeve në Drejtësi. Kam një pyetje se këto janë trike të atyre që më shumë që e hedhin, se gjithmonë do t'i gjejnë një sebep këtij propozimi. Të na thojnë kush e bllokuar KED që nuk është ngritur? Zonjës në fjalë i ka mbaruar mandati", theksoi Presidenti.
Meta hodhi poshtë që me këtë dekretim ka arritur edhe një negociatë të mundshme me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi sot në hotel Tirana, për të pranuar propozimin e Vitore Tushajt si kryetare e Kontrollit të Lartë Shtetit.

Kreu i shtetit i është përgjigjur edhe pyetjeve provokuese nëse është penduar se ka ndihmuar Edi Ramën në marrjen e Partisë Socialiste.
"Vetëm përpara shoh, bëjë të mirën, hidhe në det, e kthen Zoti prapa", u përgjigj Presidenti. Ndërsa pyetjes nëse Edi Rama nuk mposhtet më me mjete politike, Meta e cilësoi si provokim.

Presidenti u pyet edhe për çështjen e prishjes së monumentit "Shqiponja" dhe për prishjen e ndërtimeve pa leje te Unaza e Re. "Që të jap mendimin tim në mënyrë objektive, unë nuk jam as njeriu i duhur për të bërë një vlerësim estetiko-artistik të shqiponjës. Megjithatë ajo është vendosur – sepse është vendosur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë – me një kontribut të një familjeje shumë të njohur dhe të shquar shqiptare nga Maqedonia, familja Destani. Mendoj që në rast se kjo do të hiqej për shkak të një projekti publik është diçka tjetër, por ajo mund të vendosej përsëri diku tjetër. Sepse do shqiponjë është shqiponjë dhe shqiponja është simboli ynë. Nuk besoj se është bërë projekti publik për të hequr "Shqiponjën", sepse kjo do të ishte e gabuar dhe nuk besoj që ka ndodhur kjo. Ne jemi të interesuar të dimë se si po ecën kjo çështje në raport me këto shqetësime apo me këtë konflikt që është shprehur gjatë ditëve të fundit. Në intereson të mos ekzistojë një konflikt i tillë i cili nuk është i mirë për askënd, as për banorët, për komunitetin, as për autoritetet, qeverinë dhe as për të gjithë qytetarët. Unë jam për atë që të harmonizojmë një projekt për një interes publik me problemet më jetik të banorëve", theksoi Presidenti.

Ai u pyet edhe me faktin se çfarë nënkuptimi kishte deklarata e Ramës se Meta e ka numrin e ish-kryeministrit Gruevksi, njeriu që kërkohet nga drejtësia maqedonase. "As nuk e kam pasur ndonjëherë numrin e Gruevksit dhe as numrin e Ramës për arsye se kam ndërruar telefon. Nuk e di se çfarë ka ky, unë e kam takuar dy herë vetëm, ai e ka takuar më shumë. Veprimi që ka bërë Gruevski për shkak të përgjegjësive që ka pasur është i gabuar, por duhet ta përballonte atë me drejtësinë. Cështja e largimit të Gruevskit nëpërmjet Shqipërisë duhet verfikuar dhe hetuar", tha Meta.

A do të ketë ndonjë përplasje të madhe mes tij dhe Ramës për zgjedhjet e ardhshme lokale apo ato parlamentare? Kreu i shtetit e mohoi në mënyrë kategorike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë