Politike

Meta propozon Bahri Shaqirin për KLSH. PS kundër: Është i LSI

Presidenti Ilir Meta propozoi këshilltarin e rij të Sigurisë për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por PS paralajmëron se është kundër këtij emri.
Pas rrëzimit të kandidaturës së Vitore Tushajt nga Parlamenti, një propozim i parë i presidentit, sot është publikuar emri i dytë i Metës që është ai i Bahri Shaqirit, i cili më parë ka qenë shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror.


“Zoti Bahri Shaqiri plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë në drejtimin e institucioneve. Gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore si: Ministria e Financave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe aktualisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, z. Bahri Shaqiri ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional në ushtrimin me sukses të detyrave kaq të rëndësishme” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjithashtu Presidenti njofton se Shaqiri gjatë ushtrimit të detyrave të mësipërme, ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomiko-financiar.
Dekreti i Presidentit dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature është përcjellë sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
Shaqiri që nga viti 2005-2012 ishte në krye të shërbimeve sekrete në Shqipëri, duke kaluar dy qeveri, socialiste dhe demokrate. Ai ka qenë gjithashtu këshilltar i ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, si edhe zv/ministër i Transportit dhe Infrastrukturës nga vitit 2016-2017 si përfaqësues i LSI, më pas ai u emëruar si këshilltar i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.
Ky është dekreti i dytë që Meta i paraqet Kuvendit për kreun e KLSH-së. Kandidatura e parë, ajo e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, u rrëzua nga Parlamenti, për faktin se ajo ishte anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe do të shkaktonte mos funksionim të këtij institucioni të ri të drejtësisë.
Dekreti për kreun e KLSH-së nxirret nga presidenti vetëm pas një përplasje të madhe që pati për mos emërimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm. Kreu i shtetit refuzoi që të dekretonte propozimin e Ramës. Ky konflikt u zgjidh me tërheqjen e kryeministrit, i cili në vend të Cakajt propozoi emrin e tij si ministër të Jashtëm.
Meta e firmosi dekretin mbi këtë propozim të dytë, duke mos u bërë pengesë.

Mazhoranca kundër emrit të Shaqirit
Pas publikimit të dekretit të presidentit menjëherë kanë ardhur reagimet e para të mazhorancës, duke dhënë sinjale të rrëzimit të kandidaturës së dytë të propozuar për t’u votuar në Kuvend.
Këtë sinjal e ka dhënë kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, socialisti Ulsi Manja, i cili thekson se Shaqiri si kandidaturë bie ndesh me Kushtetutën, pasi shihet si e profilit të lartë politik.
“Kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik, pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues. Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave. Mbase zoti Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë pasur parasysh kryetari në distancë i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por e para s'ka të dhëna publike për këtë aktivitet dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, prapë së prape kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje mund ta komplikonte atë. Natyrisht ky është thjesht një opinion personal juridik, po për sa i takon Komisionit te Ligjeve e shoh realisht të pamundur dritën jeshile për zotin Shaqiri”, shkruan Manja në Facebook.
Kryekomisioneri thekson se është shqetësues fakti se në mënyrë te përsëritur, për të disatën here radhazi, Presidenti Meta po manifeston një mungesë të theksuar vullneti për ta lexuar shqip Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
“Ky po qe është një problem edhe më i madh se sa pamundësia për t'i dhënë OK kandidaturës së këshilltarit të tij”, shkruan Manja, i cili shton me ironi se ka respekt për Shaqirin si e ka drejtuar SHISH-in në kohën kur qeverisnin Berisha bashkë me Metën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë