Ekspertët e Venecias të thirrur në Tiranë për biseduar mbi paketën e dytë Antishpifje e nisën ditën e dytë të takimeve me presidentin Ilir Meta. Kreu i shtetit ka qenë kundër kësaj pakete të miratuar nga mazhoranca dhe se për këtë i ktheu mbrapsht dy dekretet e ligjeve për AMA-n dhe AKEP-in. Sipas presidencës, kreu i shtetit në këtë takim i ka paraqitur të gjitha argumentet ligjore dhe kushtetuese që e bindën atë për për rikthimin në Kuvend të së ashtuquajturës paketë “Antishpifje”.
Presidenti Meta theksoi se liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.
“Pavarësia e pushtetit të medias është thelbi i funksionimit dhe mbarëvajtjes së shtetit të së drejtës. Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, ka shtuar Meta.
Gjithashtu, presidenti theksoi se “çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike. Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës, si dhe të cenonte drejtpërdrejt procesin e integrimit të shpejtë të vendit në Europën e Bashkuar”.
Venecia u vu në lëvizje pas kërkesës së bërë nga Këshilli i Europës dhe Zyra e OSBE-së për Lirinë e Medias, dy organizma ndërkombëtare që kanë kontestuar paketën Antishpifje, pavarësist se qeveria pretendon se e ka hartuar në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.
Pas kontestimeve të fuqishme ndërkombëtare, mazhoranca në Parlament u tërhoq nga rrëzimi i dekretit të presidentit në mënyrë të pjesshme. Kuvendi rrëzoi dekretin për ligjin e AKEP, ndërsa la pezull dekretin e dytë për ligjin e AMA-s. Kjo me qëllim për të pritur raportin juridik të Venecias.
Ekspertët e Venecias zhvilluan një ditë më parë takim me nënkryetaren e Parlamentit, Vasilika Hysi dhe me anëtarët e komisionit parlamentar të Medias. Delegacioni përbëhet nga Herdis Kjerulf Thorgeirsdottir, anëtare e Komisionit të Venecias për Islandën, Michael Frendo, anëtar i Komisionit të Venecias për Maltën, si dhe ekspertë të Komisionit. Gjatë takimit me Hysin, anëtarët e delegacionit shprehen interes për të njohur qëllimet e ligjit, nevojat për miratimin e tij si dhe u diskutua mbi problematikat e hasura në praktikë.
Opinioni i tyre pritet të miratohet në Sesionin e 122 Plenar të Komisionit të Venecias që do të mbahet me 20 - 21 mars 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.