Lajme

Maratonë takimesh. Meta takon Bashën, Vasilin, aleatët e PD dhe Milon.

Takimi mes Lulzim Bashës dhe Ilir Metës në presidencë ka zgjatur më pak se gjysmë ore dhe në përfundim të tij asnjëri nuk ka dalë me një deklarate para mediave. Basha la presidencën dhe u nis në drejtim te selisë së PD.

Meta ka postuar një foto në “Facebook” pas takimit me kryedemokratin dhe shkruan bashkëngjitur saj: “Prita në një takim kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë".

Pas Bashës në selinë e Presidencës shkoi Petrit Vasili, nënkryetari i LSI-së dhe pas tij do të mbërrijnë edhe aleatët e kreut të PD, Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Agron Duka, Vangjel Dule dhe Dashamir Shehi. Njoftohet se pas tyre në takim me kreun e shtetit do të shkojë edhe Kreu i PDS-së, Paskal Milo   

Por tashmë Presidenti është në pritje të Edi Ramës. Kryeministri zbuloi përmes një cicërime në rrjetet sociale se këto ditë në drejtim të tij ka patur disa përpjekje nga ana e Presidencës për një takim. Rama shkruan në Twittter se kërkesat e Presidencës janë refuzuar që të gjitha dhe nuk kursen ironinë ndaj Ilir Metës.
“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial,ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim. Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë!”, shkruan Rama.
Kryeministri vazhdon duke shkruar se pas dekretit të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e Ilir Metës, pret një tjetër vendim, që ai e quan akt “çmendurie”.
“E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çrmendurie pres edhe nje tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”, thotë Rama.

Nga Presidenca ktheu përgjigje zëdhënësi Tedi Blushi, i cili thotë se ftesa për takim i është drejtuar si Ramës, ashtu edhe Bashës.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00. Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë