Politike

Meta paralajmëron bllokimin e “antishpifjes”

Parlamenti pritet që të diskutojë në vjeshtë të ashtuquajturën “paketa antishpifje”, një nismë ligjore e qortuar nga organizatat dhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE, që thonë se cenon lirinë e medias dhe synon censurën.

Nëse kjo paketë kalon me formën aktuale, pa i reflektuar në të ndryshimet e propozuara nga OSBE dhe komuniteti i gazetarëve, Presidenti Ilir Meta paralajmëron kthimin për rishqyrtim në Kuvend.

“Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cenojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas. Duke ndarë bindjen se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë, Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë”, thotë Presidenti.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Presidenti Meta shpreh shqetësimin, sipas tij, të përkeqësimit të lirisë së medias dhe shprehjes në vendin tonë. Ai u referohet raporteve të “Reporterët pa Kufij”, “Freedom House” dhe përfundimet e misionit të përbashkët vëzhgues të shtatë organizatave ndërkombëtare në fushën e lirisë së mediave, duke i cilësuar këto përfundime si alarmuese.

Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”; përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House” se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë; konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale sipas të cilave “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”; raporti paraprak i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën, Janë këmbana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri”, deklaron Meta.

Presidenti e mbyll deklaratën duke u shprehur se pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë