Politike

Meta: Nuk i druhem SPAK se s’firmos ‘fap e fap’. ‘Partizani’ rrëshqitje e drejtësisë, mungova për arsye shëndetësore

Ilir Meta tha përmes një konference për shtyp se ai nuk u druhet një fletë-thirrje nga SPAK edhe pse e akuzoi atë për mënyrën si ishte trajtuar dosja e ish-kompleksit Partizani për të cilën ka një masë sigurie për detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe arrest me burg ndaj dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.  

I pyetur nëse do të paraqitet në SPAK për kallëzimet që janë depozituar ndaj tij, Meta u përgjigj se nuk ka asnjë akt të firmosur prej tij në kundërshtim me ligjin.

“Këto janë lajme banale janë të gjitha pa asnjë përmbajtje pa asnjë materie janë çështje shumë të lodhura dhe po kështu nuk përbën lajm që Ilir Meta të shkojë tek SPAK apo tek prokuroria sepse e kam bërë gjithnjë. Kam qenë në SPAK si kallëzues publikisht me fakte, me shkresa, me letra, me dokumente. Nuk kam asnjë shqetësim si nuk kam asnjë shqetësim nga aktiviteti im në të kaluarën sepse nuk ka asnjë akt të firmosur nga Ilir Meta ‘fap e fap’ kështu që çështje të tilla nuk ekzistojnë...”, tha Meta. Ai akuzoi SPAK se po vepron me regji të Edi Ramës duke renditur disa nga padite që ata kanë depozituar.  

“Ne kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë të hapur për çdo hetim. Kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë në respektim të Kushtetutës dhe ligjit dhe besoj se edhe ju habiteni se si shume çështje që deputetë funksionarë drejtues të Partisë së Lirisë dhe opozitës i kanë depozituar në SPAK që cënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesin publik, dëshmojnë se pse nuk duhet t’i prishet rehati kryeministrit, kryetarit të bashkisë këtu apo funksionarëve të tjerë të besuar”, tha ai. Ndër radhë, Meta sqaroi mungesën e tij dy javore në vend me arsye shëndetësore.  

“Për arsye personale shëndetësore nuk kam qenë i angazhuar publik...”.

Meta tha gjithashtu se ai e votoi reformën në drejtësi për të mos u përçarë opozita ndërsa rrugës sipas tij ajo u shndërrua në Ramaforma.

Meta u pozicionua sërish kah Sali Berishës për debatin lidhur me privatizimin e ish-kompleksit ‘Partizani’.

”Dëshiroj te shpreh edhe njëherë tjetër keqardhjen për këtë rrëshqitje e cila nuk është e papritur e së ashtuquajturës drejtësi të re e cila del dhe anashkalon Kuvendin del mbi Kushtetutën mbi Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe natyrisht që e dimë shumë mirë që është një akt- akuze që është bërë në Kongresin e PS nga Edi Rama. Në çdo dokument ai është personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për të bërë ndërrimin e destinacionit nga kompleks sportiv në kompleks banimi, dhe po të shikoni dosjen emri i tij nuk del atje sepse ai ka garantuar përmes kapjes së sistemit të drejtësisë paprekshmërinë e tij dhe përpiqet të përdorë prokurore dhe gjykatës të caktuar në mënyrë që të godasë opozitën e vërtetë dhe të shfokusojë opinionin publik nga skandalet miliona euro...”, tha ai

Meta mbështeti gjithashtu aksionin e PD-së në Kuvend. Sipas tij, bllokimi i komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita është dëshmi e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë