Politike

Meta nga Prishtina: Ballkani i Hapur rivalizon Procesin e Berlinit

Në kohën që zv.ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar po zhvillonte një takim online me tre vendet nismëtare të Ballkanit të Hapur, Presidenti Ilir Meta deklaronte me tone të forta kundërshtimin e kësaj nisme nga Kosova.

Meta foli gjatë një takimi me pedagogë dhe studentë të një universiteti privat në Prishtinë në aktivitetin e titulluar “Shqiptarët, faktor stabiliteti në Ballkan”.

Presidenti foli për një rrymë serbo-centriste që po fryhet artificialisht në rajon. Sipas Metës, Ballkani i Hapur nuk është gjithëpërfshirës dhe rivalizon Procesin e Berlinit, të mbështetur nga Bashkimi Europian.

“Një rrymë serbo-centriste po rreket të gjallojë në rajon, përmes provokimit të vorbullave artificiale, ku as Tirana, apo Prishtina nuk mund t’i lejojnë vetes të tregohen indiferente, apo symbyllta. Himnizimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të bashkëjetojnë me aspiratat europiane dhe euro-atlantike të vendeve tona. Çdo tentativë për të na tërhequr drejt një të ardhmeje përmes halucinacioneve të së shkuarës, duhet të ndeshë me një refuzim të prerë”, tha Meta.

“Në kuadër të bashkëpunimit rajonal po konstatojmë oshilacione të padobishme si në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë ashtu edhe në raport me BE-në, e kam fjalën edhe për energjitë kaq të tepërta që po i përkushtohen mini Shengenit dhe Ballkanit të Hapur. Rezerva e parë është parimore për sa koha bashkëpunimi është gjithëpërfshirës nuk mund të ofrohet me gjuhë imponuese, politikës përjashtuese dhe faktit të kryer. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar Procesin e Berlinit, që është gjithëpërfshirës dhe shoqërohet me garancinë financiare të BE-së”, vijoi ai.

Presidenti kritikoi edhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, që sipas tij nuk është në nivelet e duhura.

“E ardhmja nuk mund të përshkojë rrugë tjetër përveç vëllazërimit të pandërprerë. Shija e spektaklit të takimeve zyrtare nuk mund ta zëvendësojë punën që duhet të vazhdojë çdo ditë në thellimin e këtyre marrëdhënieve. Rezulton që për të eksportuar në Shqipëri sipërmarrësi duhet të paguajë disa tarifa përfshirë tarifën e rrugës së Kombit, këto çështje nuk po gjejnë zgjidhje, sepse kemi mbetur te shfaqja dhe aparenca. Ka një varg fantastik të Majakovskit: Ah sikur të bëhej edhe një mbledhje që tu jepte fund të gjitha mbledhjeve!”, deklaroi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë