Lajme

Meta: Më shqetëson teatri politik, krizën ta zgjidhë OSBE. Qeveria: Ky President i opozitës

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dhënë mesazhe të qarta nga Durrësi, duke kërkuar nga palët të marrin përgjegjësitë për të zgjidhur krizën në vend. Duke u bazuar edhe në çështjen e nxehtë të teatrit pas përplasjeve për mosshembjen e tij, ai ka thënë se më shumë shqetësues është teatri i madh politik.
“Ajo që na shqetëson është ky teatri i madh politik, absurd i cili kërcënon që Shqipëria të dërrmojë çdo mundësi për të çelur negociatat në 18 tetor”, u shpreh presidenti Ilir Meta.
Duke iu drejtuar tre liderëve politikë në vend, Edi Ramës, Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit si ‘artistë’, ai thotë se duhet të marrin masa për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.
“Prandaj edhe njëherë i bëj thirrje të gjithëve, në mënyrë të veçante tre artistëve t’i japin fund këtij absurdi. Të marrin masa për zbatimin e zgjedhjeve vendore më 13 tetor sepse qytetarët shqiptarë kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet të kenë një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe që garanton llogaridhënie për të gjitha shqetësimet e tyre”, u shpreh ndër të tjera Meta.
Ai tha se kam insistuar prej kohësh për një dialog të qëndrueshëm, jo për demagogji por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët.
“Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka. Sot jemi në një situatë kaotike në të gjitha drejtimet. Opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë. Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra-tjetrën, rruga e kapjes së të gjitha institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e delegjitimimit të gjitha institucioneve. Ne kemi nevojë për një rrugë, rruga e përbashkët e anëtarësimit në BE”, tha ai.

Presidenti Ilir Meta ndër të tjera tha se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajčák (që ka kryesimin e radhës) dhe Presidentit të Asamblesë së OSBE-së që të ndërmjetësojnë zgjidhjen e krizës në Shqipëri mes shumicës dhe opozitës.
“Sot kam formalizuar një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së që vizitoi dje Tiranën por edhe kryetarit të radhës, ministrit të Sllovakisë dhe Presidentit të Asamblesë së OSBE-së, meqë Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm për të negociuar me të dyja palët për një arritje të një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë, jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin por edhe të padenjë për një vend që duhet të jetë shembull në kryesimin e OSBE-së për funksionimin e institucioneve demokratike”, tha ai.

Por mazhoranca nuk duket se i lë mangut asnjëherë përgjigjen Presidentit. "Baba Xhikja i paska kërkuar OSBE të bëhet arbitër mes paleve! Në fakt me atë letër ai paska pranuar thjesht që nuk është më as mbi palët, as mes paleve po thjesht udhëheqësi i njërës palë. Dmth s’është më President! Kurse letra mbetet si të tjerat:Export-Import Kafeje Qamili shpk", ka deklaruar menjëherë në një postim në Twitter Elisa Spiropali në emër të qeverisë, duke dhënë të kuptohet se ndarja me kreun e shtetit është e parikuperueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë