Politike

Meta: Në SPAK jam thirrur për një çështje qesharake, s’kam frikë nga burgu. Për Monikën s’mbaj përgjegjësi. (Tregon pasuritë që ka)

Retorikën e ashpër ndaj ish-kryetares së Partisë së Lirisë, njëherazi dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, Ilir Meta e konsideroi si të zakonshme në një aksion politik,  kur denoncon një fenomen të caktuar, siç është nepotizmi. Thënë ndryshe, i ftuar në 'Debat' në A2 CNN, Meta tha se ka sulmuar nepotizmin, si fenomen në parti dhe në administratë, dhe jo Monika Kryemadhin.

“Kryemadhi ka meritat e saj në 2005 ka arritur një ndër rezultatet më të mira me gati 30% në Kombinat përballë ministrit të Brendshëm, ajo është prej kontributeve të veta që ka aderuar që 17 vjeç. I vetmi debat ka qenë se Kryemadhi ka propozuar 30%, ne e çuam në 50% për përkrahjen ndaj grave”, tha Meta.

Ai u pyet për shumëçka gjatë emisionit përfshi edhe pozicionin e tij përballë SPAK dhe akuzave drejtuar Altin Dumanit

“Unë kam qenë në SPAK shumë seriozisht, për një çështje qesharake. Edhe për CEZ DIA nuk kam asnjë lidhje unë, jo ka qenë në 2019 kur kam qenë në kulmin e presioneve që të shkelja Kushtetutën.  Unë atje jam thirrur për qejfin e Edi Ramës, por kam shkuar për të respektuar”, tha Meta.

Ndonëse nuk ka më një retorikë të ashpër, si “Dumdumani” apo “palaço”, Meta ka vijuar akuzat në drejtim të Altin Dumanit.

“Altin Dumani nuk është drejtuesi por fatkeqësisht kancelari i SPAK-ut, që thjesht përcjell shkresat për llogari të Edi Ramës. A është thirrur ndonjëherë Edi Rama nga SPAK-u? Edi Rama përgjegjësi kryesor për aferën e inceneratorëve nuk është thirrur asnjëherë nga SPAK. Erion Veliaj duhet të ishte arrestuar para 4 vitesh. Kjo tregon çdo gjë”, tha Meta.

Prej kohësh po flitet për një masë sigurie që pritet të jepet ndaj Ilir Metës, mirëpo ai thotë se nuk ka asnjë stepje.

“Po ca burgu, unë frikë nga burgu, më habit. Shqiptarët më dinë dhe më njohin mua, ju duhet të kuptoni që përpjekja e tyre është për të frikësuar shqiptarët e ndershëm duke goditur politikisht Berishën, e godasin se ka dalë kundër ndarjes së Kosovës dhe projektet për shpopullimin e Shqipërisë. As nuk kam asnjë droje, Partia e Lirisë e ka zgjidhur me konventë lidershipit për 30 vitet që vijnë dhe çështjen e financimit, dhe Partia e Lirisë i përgjigjet kujdo atje ku e ka strofullën, këto mercenarë ca janë këto Dumanë, pas Rama. Liria ime është në dorën time, Rama dhe Dumani janë në burg sepse janë peng i gjërave që kanë bërë”, tha Meta.

Sa i përket Monika Kryemadhit e cila është thirrur në SPAK për fshehje pasurie, Meta dha të njëjtën përgjigje si kryeministri Edi Rama “për mollat e kalbura që bien nga pema”. Sipas tij, përgjegjësia është personale.

“Përgjegjësia është personale për çdo person. Ai ka përgjegjësi se ka firmosur 17 vendime me kundërshtim me ligjin”, tha Meta. Ai konfirmoi edhe njëherë se nuk ka asnjë pasuri përvec një apartamenti ku ka pjesën e tij në bashkëpronesi me të motren

"Le të ma marrin pasurinë, FBI dhe t'ia shperndajnë popullit Unë kam 1/4 e nje apartamentit te pazari i ri, me prinderit dhe motren. kjo eshte pasuria ime", tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë