Politike

Meta në Shkup: “Ballkani i Hapur”, tendencë për të margjinalizuar Kosovën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se Evropa duhet të ketë qasje më seriozë për Ballkanin Perëndimor, gjatë një fjale të mbajtur në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

“Vetë Europa duhet të ketë qasje më serioze për Ballkanin Perëndimor dhe duhet t’u qëndrojë premtimeve që bën. Duhet të ofrojë ‘karotën’  kur duhet, por edhe ‘shkopin’ kur është e nevojshme ndaj të gjithë autokratëve në rajon të cilët rikthejnë tema të së kaluarës,  si një shantazh, për t’i lënë rehat në autokracinë e tyre”,  tha Meta.

Presidenti foli edhe për “Ballkanin e Hapur”, duke shprehur shqetësim në lidhje me pozitën e Kosovës në këtë proces.

 “Ndërkohë ne kemi Procesin e Berlinit që është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues.

Nuk mund të zhvendosim stadin e bashkëpunimit rajonal, nga vetë shtrati i procesit të integrimit europian, të të gjithë vendeve tona dhe rajonit.

Nuk mund ta fsheh shqetësimin tim për pozitën e Kosovës dhe tendencën e “Ballkanit të Hapur” për ta margjinalizuar atë.

Unë kurrë nuk kam besuar dhe nuk mund të besoj, që zgjidhja për çdo çështje në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë më pak serbë në Kosovë, apo më pak shqiptarë në Serbi.

Thelbi është që këto dy vende duan t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe nëse duhet t’i bashkohen, duhet të ecin në rrugën e parimeve dhe vlerave europiane. Por jo të vendosin në diskutim parimet dhe vlerat, sikurse ka qenë ideja e papranueshme për ndryshimin e kufijve”, tha Presidenti Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë