Politike

Meta në SHBA: Ndryshimi i kufijve, zgjerimi i BE në Ballkan

Gjatë vizitës së tij në SHBA, presidenti Ilir Meta e ka vijuar sot me pjesëmarrjen në një takim të forumit “Transatlantic Leadership Netëork”, të organizuar në Kongresin Amerikan.

Duke qenë se tema e takimit lidhej me sfidat e Ballkanit perëndimor për t’u anëtarësuar në BE, Meta e ka lidhur këtë histori edhe me çështjen e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, duke theksuar se i vetmi ndryshim duhet të jetë zgjerimi i bllokut me vendet e rajonit.

“Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor, - ka thënë presidenti shqiptar. - Do të doja gjithashtu të ndaleshim e të përqendroheshim të vendimi i mençur dhe i guximshëm i BE-së për ta zbatuar regjimin e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe në përgjithësi, procesin e shpejtë të anëtarësimit për mbarë rajonin”.

Në vijim, Meta ka kërkuar më shumë investime nga sipërmarrësit europianë, pasi sipas tij kjo është mënyra e duhur për të penguar largimin masiv të të rinjve nga rajoni.

“Shpresoj që investitorë më seriozë europianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona”, theksoi Meta.

Presidenti Meta gjatë vizitës së tij në SHBA u prit në Kongresin Amerikan edhe nga Kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Fatmir Mediu, Eliot Engell, Ilir Meta

Meta falënderoi Kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, - u shpreh Presidenti.

Eliot Engell dhe Ilir Meta

Kongresmeni Eliot Engel siguroi Presidentin Meta për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë. Presidenti ndodhet në SHBA në kuadër Mëngjesit të Lutjeve. Së bashku me të janë kryerepublikani Fatmir Mediu, ministri i Dipasporës, Pandeli Majko dhe deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri.

Në vijim të vizitës në SHBA, presidenti Ilir Meta ka takuar edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit. Nëpërmjet postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se me Mike Pompeo biseduan për partneritetin mes dy vendeve.
“Shumë i lumtur të isha sot në krah të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Uashington. Folëm për partneritetin e shkëlqyer të dy vendeve tona dhe rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane”, shkruan Meta në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë