Politike

Meta në OKB: Të përkushtuar në reformat tona të brendshme

Ndërsa presim një vendim pozitiv në të ardhmen për të hapur negociatat e pranimit me Bashkim Europian, ne mbetemi të përkushtuar për të ecur përpara dhe pa vonesë me reformat e brendshme në fusha kyçe.Në fjalën e tij në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së,  po  zhvillohet në Nju-Jork, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, pasi uroi suksese presidentes Espinosa Garcés, tha se  Shqipëria vazhdon ta shohë OKB-në si një instrument shumëpalësh, përmes të cilit ruhet më së miri rendi paqësor ndërkombëtar.

Tema e debatit mbi shndërrimin  e  OKB-së në një organizatë të lidhur e të përshtatshme për të gjithë popujt, ka thënë Meta,  na shpie në zemër të multilateralizmit; “të atij lloji që kanë ndërtuar kombet tona nëpërmjet udhëheqjes globale dhe përgjegjësive të përbashkëta në dobi të shoqërive tona paqësore, të barabarta e të qëndrueshme.”Presidenti ka deklaruar se Shqipëria u mbetet besnike parimeve themelore të kësaj organizate, ndërsa ndan nevojën e ndjekjes së vazhdueshme të reformës.

“Ne mbështesim plotësisht vizionin e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për reforma dhe arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.” – ka thënë M Eta duke shprehur besimin se  Axhenda 2030 është e rëndësishme dhe e zbatueshme në të gjitha vendet e botës. “Kemi ndërmarrë një qëndrim të qartë me një rezolutë unanime të miratuar nga Parlamenti Shqiptar duke shprehur angazhimin tonë të vendosur për zbatimin dhe arritjen e këtyre qëllimeve.”

Në muajin korrik, ka bërë më tej të ditur presidenti shqiptar, Shqipëria  ka paraqitur  Raportin e saj Vullnetar Kombëtar, duke përfshirë një kombinim të mirë të objektivave të Axhendës së saj Europiane me ato të Zhvillimit të Qëndrueshëm.“Ndërsa presim një vendim pozitiv në të ardhmen për të hapur negociatat e pranimit me Bashkim Europian, ne mbetemi të përkushtuar për të ecur përpara dhe pa vonesë me reformat e brendshme në fusha kyçe.” –ka thënë në fjalën e tij Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke shtuar se përparësinë e Bashkimit Europian për bashkëpunim të hapur rajonal, Shqipëria e sheh  si një politikë të domosdoshme.“Me proceset e vazhdueshme të paqes e të integrimit në Ballkan, besojmë se çdo arritje dypalëshe në gjirin e vendeve tona kontribuon drejtpërsëdrejti edhe për një paqe, siguri, qëndrueshmëri dhe zhvillimin ekonomik më të madh.”

Meta e ka quajtur marrëveshjen  midis Greqisë dhe Maqedonisë, si një mundësi për t’u shndërruar  në një arritje historike, ndërsa ka folur edhe për rolin që Shqipëria ka pasur duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Maqedoni, duke përfshirë edhe udhëheqësit vendorë shqiptarë, që të angazhohen në mënyrë aktive për të siguruar e arritur suksesin e referendumit të 30-të shtatorit, duke përkrahur votimin pro kësaj Marrëveshjeje.“Politika e dyerve të hapura të NATO-s e shtrirë drejt Ballkanit Perëndimor mbetet e rëndësishme dhe jetike për të ankoruar rajonin nën çadrën e vet të sigurisë si dhe për autorësinë e përgjegjshme vendore.”Meta e sheh angazhimin e i NATO-s dhe Bashkimit Europian  si garantues për të gjitha vendet e rajonit.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/143530846596996/

Ky moment, ka shtuar presidenti, mund të  nxisë  një përparim në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë. “Është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe që kjo Marrëveshje e pritshme të mishërojë energji pozitive, duke nxitur e ushqyer vlerat europiane të bashkëjetesës dhe harmonisë ndëretnike.”, që do të shënonte një ndarje nga historia dhe e kaluara dhe do të përmirësonte  jetën e përditshme të njerëzve në të dy shtetet.

Duke iu drejtuar delegatëve, Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria mbështet plotësisht një agjendë më efektive të OKB-së përmes një arkitekture më të integruar të paqes dhe sigurisë. “Më lejoni të theksoj se më shumë se 6500 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe civilë shqiptarë kanë marrë pjesë në operacione paqeruajtëse ndërkombëtare duke nisur që nga viti 1996.”Meta ka folur gjithashtu për kontributin shqiptar në luftën kundër migracionit të paligjshëm në Mesdhe, është i rëndësishëm dhe domethënës.

“Jemi pjesë e misionit detar të NATO-s në Egje, duke i ardhur në ndihmë FRONTEX-it për të ndaluar emigrantët e paligjshëm. Shqipëria beson se mbrojtja e civilëve, grave dhe fëmijëve është me rëndësi vendimtare në operacionet paqeruajtëse, sepse jeta e çdo personi është shumë e çmuar.” Meta ka cekur edhe konfliktin në Siri, si një shqetësim serioz e që kërcënon paqen dhe sigurinë dhe ka shprehur mbështetjen e të gjitha veprimeve  të  ndërmarra nga aktorët ndërkombëtarë për t’i dhënë fund konfliktit si dhe për t’i dhënë fund përdorimit të armëve kimike.

“Situata humanitare është përkeqësuar akoma më shumë dhe kjo tragjedi ka shkaktuar miliona refugjatë lufte të shpërngulur, duke dëmtuar gjithashtu edhe sigurinë e vendeve fqinje dhe të kontinentit europian.”Shqetësime ka shprehur edhe për situatën në Libi. “Theksojmë nevojën për të ulur përshkallëzimin e dhunës në atë vend, si dhe përhapjen e terrorizmit po ashtu.” Nga vëmendja e presidentin shqiptar nuk ka ikur as konflikti mes Izraelit dhe Palestinës, që sipas Metës, po dëmton ende paqen dhe qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme. “Zgjidhja me Dy-Shtete do t’i lejonte realisht të dyja palët të përmbushnin aspiratat e tyre, t’i jepnin fund konfliktit dhe të arrinin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët.”

Presidenti Ilir Meta ka folur edhe për problemin e drogës në botë. “Të gjithë duhet të ndërmarrim veprime të guximshme dhe të veprojmë së bashku për të çrrënjosur drogat nga jeta e të rinjve dhe fëmijëve tanë si dhe për të shpëtuar shoqëritë, sigurinë tonë kombëtare dhe shëndetin tonë publik.” Një zgjidhje sipas tij do të ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar  “dhe të ndërtojmë një bazë të përbashkët për të kuptuar problemin duke ndërmarrë masa efektive kundër tij”- ka thënë ai, duke theksuar se Shqipëria gëzon një bashkëpunim të shkëlqyer me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).Presidenti në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka shprehur edhe synimin që Shqipëria ka për t’u zgjedhur si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për mandatin gjatë viteve 2022-2023.“Për të arritur këtë qëllim, ne jemi të gatshëm të angazhohemi në mënyrë konstruktive në parandalimin e konflikteve dhe në operacione të ndryshme paqësore, si në kuadër të OKB-së, ashtu dhe në organizata të tjera të sigurisë rajonale, në zbatimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të kontribuojmë në respektimin universal të të drejtave të njeriut.”

Në fund të fjalimi të tij, presidenti është ndalur tek çështja  e ndryshimit të klimës. “Shqipëria ka miratuar strategji dhe plane veprimi të lidhura me të dhe po merr masat e nevojshme për të mbrojtur mjedisin si dhe për të zvogëluar emetimet e gazrave.”Duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta, e ka mbyllur fjalën e tij Meta,  për të përballur e kapërcyer sfidat e përbashkëta.Gjatë vizitës zyrtare në Nju-Jork, Presidenti i Republikës do të zhvillojë takime dypalëshe më homologë të ndryshëm, me zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane edhe me përfaqësues e anëtarë të shumtë të bashkësisë shqiptaro-amerikane që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë