Lajme

Meta në Mal të Zi: Shqiptarët të integrohen më shumë

Presidenti Ilir Meta nisi sot vizitën shtetërore në Mal të Zi, me ftesë të homologut të tij malazez, Milo Gjukanoviç. Meta u prit me nderime të larta shtetërore nga presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Po ashtu, rrugët e Podgoricës u veshën me flamujt kuqezi.
Presidenti Ilir Meta e nisi vizitën e tij në Malin e Zi me një takim me homologun e tij, Milo Gjukanoviç. Pas takimit, në konferencën e përbashkët presidenti Meta shprehet i lumtur që vizitën e parë zyrtare për këtë vit ta nisë në një vend fqinj kaq miqësor. se forcimi edhe më shumë i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi edhe më i plotë i shqiptarëve të Malit të Zi, si dhe kursi europian dhe euro-atlantik i rajonit, është në interesin më të mirë të përbashkët të dy vendeve.
“Jam i lumtur që këtë vizitë të parë zyrtare për vitin 2019, një vit me mjaft sfida për rajonin tonë, ta nis pikërisht këtu në Malin e Zi, një vend fqinj kaq miqësor me të cilin na lidh jo vetëm gjeografia, historia, kultura, njerëzit dhe vlerat euro-atlantike, por sidomos e ardhmja e përbashkët dhe pa kthim pas”, u shpreh Meta.

Meta gjithashtu theksoi se forcimi edhe më shumë i marrëdhënieve dypalëshe, integrimi edhe më i plotë i shqiptarëve të Malit të Zi, si dhe kursi europian dhe euro-atlantik i rajonit, është në interesin më të mirë të përbashkët të dy vendeve.
“Një temë mjaft e rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit tonë ka të bëjë edhe ajo me integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë.
Jam krenar për përkushtimin e shqiptarëve këtu në Malin e Zi, që nga pavarësia, që nga shtetformimi dhe në vijimësi për të gjithë mbështetjen e palëkundur që i kanë dhënë forcimit të shtetit të Malit të Zi dhe integrimit të tij euro-atlantik dhe në Bashkimin Europian”, shprehet ndër të tjera presidenti Meta.
Sipas axhendës, kreu i shtetit, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, do të ketë takime edhe me kryetarin e Parlamentit, Ivan Brajoviç dhe kryeministrin Dushko Markoviç.
Gjithashtu, presidenti Meta do të takohet me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe do të vizitojë qytetet e Tuzit, Tivarit dhe Ulqinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë