Lajme

Meta në Mal të Zi: Përfaqësim të shqiptarëve në institucione

Presidenti Ilir Meta, në vijim të vizitës së tij shtetërore në Mal të Zi, u prit sot në takim nga kryeministri Dushko Markoviç. Gjatë takimit, Meta përgëzoi kryeministrin për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian.
Presidenti shprehu dëshirën, që bashkëpunimi i mirë që ekziston midis dy vendeve të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke pasur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
Më tej, apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.
Ndërkohë kryeministri i Malit të Zi e informoi Metën për disa projekte konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarë, siç është ndërtimi i rrugës Tuz-Grabon, rikonstruksioni i shkollës së fshatit Dacaj në Rozhajë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale, etj. Meta shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar në Mal të Zi vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë