Politike

Meta mesazh partive: Zgjedhjet më 13 tetor, lokale dhe të përgjithshme

Një ditë pas konsultimeve me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, presidenti ka lëshuar një apel në adresë të partive politike duke i ftuar për zgjidhjen e krizës politike në vend. Për Presidentin qëndron akoma në fuqi opsioni i hedhur për të zgjidhur krizën me shkuarjen në zgjedhje më 13 tetor, duke shpëtuar sipas tij edhe provimin e vjeshtës.
“30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Europian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ndaj nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën: në një anë atë të kapjes së çdo institucioni, çdo zyre dhe çdo vendi pune, dhe atë të delegjitimimit të çdo institucioni nga ana tjetër”, shkruan Meta në Facebook.
Dhe për të mos mbetur në vjeshtë nga Bashkimi Europian, presidenti kërkon që palët të bien dakord për zgjedhje të reja. “Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin nga populli, në 13 tetor. Koha është tani! Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!”, shkruan kreu i shtetit.
Liderët e opozitës kanë zhvilluar konsulta menjëherë pasi kreu i PD-së, Basha zhvilloi një takim në Presidencë. Opozita duket se po përgatitet për zgjedhje të parakohshme edhe pse nga ana e saj mazhoranca ka bërë të qartë se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më vitin 2021.

Meta statusi në Facebook

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë