Lajme

Meta: MEPJ, jo autoshkollë! Rama: Çizme e doktorreshës

Në mesnatë përfundoi afati 7-ditor që Presidenti Ilir Meta të dekretonte shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër të Jashtëm të Shqipërisë, sipas propozimit të paraqitur në tryezën e tij nga Kryeministri Edi Rama.

Por, për herë të parë në histori ndodhi që një President të mos dekretojë shkarkimin e një ministri duke ndezur debatin nëse me këtë vendim ka shkelur apo jo Kushtetutën e vendit. Gjykata Kushtetuese, ajo që duhet të vendoste në të tilla ngërçe institucionale nuk ekziston.

Megjithatë, Presidenti Meta mbetet i bindur në qëndrimin e tij dhe paraditen e së shtunës e përforcoi këtë bindje përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ironizon me “timonin” e Kryeministrit.

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë, ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, shkruan Meta.

Presidenti thotë se Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Edi Rama reagoi disa orë më vonë dhe po përmes rrjeteve sociale thotë se Presidenti i Republikës është shndërruar në “ccizme të LSI”-së. Kryeministri ndan bindjen se Gjykata Kushtetuese e re do t’i jap fund kësaj, që ai e quan maskaradë.

https://twitter.com/ediramaal/status/1084061229117816832

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë